Aktori Ezra Miller ka shumë gjasa që të mos rikthehet në rolin e superheroit, Flash, në filmat e ardhshëm të studios “Warner Bros” e që bazohen në librat komik “DC Comics”.
Një burim për portalin “Deadline” ka deklaruar: “Nuk ka fitore për studion ‘Warner’ në këtë situatë. Ky ishte një problem të cilin shefi ekzekutiv i kësaj studioje, David Zaslac, e ka trashëguar. Por shpresat janë që skandalet e aktorit të mbesin të vogla, deri në kohën e lansimit të filmit ‘The Flash’ nëpër kinema”.
Tutje u tha se gjasat janë shumë të vogla që Miller të vazhdojë ta portretizojë këtë rol edhe në të ardhmen, çka do të thotë se ai do të duhet të zëvendësohet, nëse ky superhero rikthehet në ekran të madh.
Së fundmi, një djalosh 12-vjeçar dhe e ëma e tij, kanë siguruar urdhër ndalesë të përkohshme kundër Millerit, i cili ka disa muaj që është në vëmendjen e mediave dhe publikut për një sërë skandalesh, përfshirë këtu disa arrestime, akuza për sulm fizik dhe ikja nga autoritetet.
Po ashtu në një rast tjetër, prindërit e 18-vjeçares, Tokato Iron Eyes, i kanë dorëzuar dokumentet në gjykatë me ç’rast kanë kërkuar urdhër ndalesë për mbrojtjen e vajzës të tyre nga aktori, të cilin e akuzuan se e ka ngacmuar dhe ia ka shpërlarë trurin asaj.
Sipas dokumenteve gjyqësore, “Ezra e shfrytëzoi dhunën, frikësimin, kërcënimin me dhunë, paranojat, iluzionet dhe drogat, për ta mbajtur nën kontroll adoleshenten, Tokata”.
Studioja “Warner Bros” nuk i ka komentuar zyrtarisht akuzat kundër Millerit, dhe të ardhmen e tij në projektet e radhës të bazuara në librat komik “DC”.
Projekti i fundit i Millerit është filmi i regjisori David Yates, “Fantastic Beasts: The Secrets of Dumbledore”, ku luajnë edhe aktorët tjerë yje si: Eddie Redmayne, Jude Law, Katherine Waterston, Dan Fogler, Alison Sudol dhe Callum Turner.
Filmi i ardhshëm “The Flash” planifikohet të lansohet për publikun e gjerë në qershor të vitit 2023.