Showbiz

Skenaristi Paul Haggis është arrestuar në Itali, akuzohet për sulm seksual

Skenaristi dhe regjisori i shpërblyer me “Oscar”, Paul Haggis, është arrestuar në Itali nën dyshimet për sulm seksual dhe lëndim të rëndë personal.

Regjisori i filmit “Crash” u ndalua nga policia të dielën (19 qershor) në Ostuni, pasi një grua e paidentifikuar ngriti akuzë kundër tij.

Në një deklaratë për revistën “Variety”, avokatja e Haggisit, Priya Chaudhry, i mohoi të gjitha akuzat kundër regjisorit.

“Sipas ligjeve të Italisë, nuk mund të diskutoj për provat në një rast që vazhdon të jetë nën hetime. Por, jam e bindur se të gjitha akuzat kundër zotit Haggis do të shkarkohen. Ai është plotësisht i pafajshëm dhe i gatshëm për të bashkëpunuar me autoritetet, në mënyrë që e vërteta të zbulohet sa më shpejtë”.

Sipas mediave italiane, Haggis është paditur për detyrimin e një gruaje të re me shtetësi britanike, për të kryer marrëdhënie seksuale për dy ditë rresht. Ngjarja besohet se ka ndodhur në Ostuni, ku regjisori pritej ta ndjekë Festivalin e filmit “Allora” nga 21 deri më 26 qershor.

Në një deklaratë të lëshuar nga prokurorët, Antonio Negro dhe Livia Orlando, të cilët janë duke i kryer hetimet rreth këtij rasti, pretendohet se gruaja në fjalë ishte detyruar të kërkonte ndihmë mjekësore pas marrëdhënieve seksuale me regjisorin, me ç’rast thuhet se ai ishte treguar i dhunshëm. Pas dy ditësh “marrëdhëniesh jo konsensuale”, viktima u shoqërua nga burri, të cilin e ka identifikuar si Paul Haggis, në aeroportin e qytetit më të afërt, Brindisi, dhe u braktis e vetme pavarësisht se nuk ishte në gjendje të mirë fizike dhe psikologjike. Stafi i aeroportit pasi e kishte vënë re që ajo ishte në gjendje të keqe dhe tërësisht e hutuar, e kishin dërguar në selinë e policisë në Brindsi ku më pas ajo ngriti akuzë kundër Haggisit.

Pas arrestimit të regjisorit, organizatorët e festivalit “Allora” menjëherë i anuluan të gjitha ngjarjet ku ai ishte planifikuar të marrë pjesë, si dhe shprehën solidaritet të plotë me viktimën e supozuar.

Përveç si regjisor, skenarist dhe producent i filmit të vitit 2005, “Crash”, Haggis po ashtu shquhet si bashkëskenarist i filmave me James Bondin, “Casino Royale” dhe “Quantum Of Solace”, si dhe ka shërbyer si skenarist dhe producent i filmit të vlerësuar me çmim akademik, “Million Dollar Baby”.

Në vitin 2018, Haggis u padit nga publicistja, Haleigh Breest, e cila deklaroi se ai e kishte përdhunuar atë pas një premiere filmi në vitin 2013. Pas këtij rasti, edhe tri gra të tjera e akuzuan regjisorin për sulm seksual, por gjykimi vazhdon të mbetet pezull për shkak të vonesave të shkaktuara nga pandemia.

Paul Haggis i ka mohuar me shumë bindje të gjitha akuzat kundër tij.