Amber Heard ka ndarë përvojën e saj të të qenit në tribunën e dëshmitares gjatë gjyqit të saj me ish-bashkëshortin, Johnny Depp.
Të premten, Heard, 36 vjeç, tha për NBC se ishte e tmerrshme të merrej në pyetje nga ekipi ligjor i Depp-it për pretendimet e saj për sulm seksual kundër aktorit të “Pirates of the Caribbean”, shkruan revista “People”.
“Gjëja më e frikshme, më frikësuese për këdo që flet për dhunën seksuale është të mos besohet, të quhet gënjeshtar ose të poshtërohet”, tha Heard.
Në fillim të këtij muaji, Depp fitoi të tri pretendimet për shpifje në çështjen e tij kundër Heard-it për shkrimin e saj të vitit 2018 në të cilin e paraqiste veten si një të mbijetuar të abuzimit në familje. Juria i dha Deppit 15 milionë dollarë dëmshpërblim, por Heard do të duhet të paguajë vetëm 10.35 milionë dollarë për shkak të kufirit ligjor të Virxhinias për dëmet ndëshkuese.
Për më tepër, juria prej shtatë personash i dha Heardit 2 milionë dollarë dëmshpërblim për kundërpaditë e saj kundër Deppit. Avokati i Heardit tha se aktorja do ta apelojë "absolutisht" vendimin kundër saj.
Gjatë intervistës për NBC Heard gjithashtu pretendoi se një pjesë e provës që nuk u lejua në sallën e gjyqit mund të kishte ndryshuar vendimin.
Në disa shënime të shpërndara thuhej se aktorja e Aquaman i tha terapistit të saj se Deppi "e goditi" dhe "e hodhi në dysheme" në janar të vitit 2012 dhe, tetë muaj më vonë, "i grisi këmishën e natës" dhe "e hodhi në shtrat". Heard pretendoi më tej se aktori i “Rum Diary "e hodhi atë pas një muri dhe e kërcënoi se do ta vriste" në vitin 2013, sipas shënimeve.
Pavarësisht kësaj, aktorja e Hollywoodit ka thënë se e do ende Deppin.
"Unë nuk kam aspak ndjenja të këqija apo keqdashje ndaj tij," tha Heard.
Ajo tha gjithashtu se do të qëndrojë pranë çdo fjale të dëshmisë së saj deri në ditën e vdekjes, dhe e quajti veten një "të mbijetuar".
Ndërkohë, një zëdhënës i Deppit ka thënë për NBC News se është për të ardhur keq që ndërsa Johnny kërkon të ecë përpara me jetën e tij, e pandehura dhe ekipi i saj janë kthyer në përsëritjen, ri-imagjinimin dhe rigjykimin e çështjeve që tashmë janë vendosur nga Gjykata.