Showbiz

Lady Gaga mund të angazhohet me rol në filmin e ardhshëm “Joker”

Personazhi i njohur filmik, The Joker, po rikthehet dhe kësaj radhe po e sjell një mike të re.

Pop ylli, Lady Gaga, është në bisedime e sipër për t’u angazhuar me rol krahas aktorit, Joaquin Phoenix, në vazhdimin e dytë të filmit “Joker” të realizuar nga regjisori Todd Phillips, raportoi të martën portali “Billboard”. Ky projekti i lansuar në vitin 2019 dhe i bazuar në personazhin e njohur të librave komik “DC Comics”, ia fitoi Phoenixit një çmim “Oscar” si dhe i arkëtoi më shumë se 1 miliardë dollarë në arkat filmike botërore.

Hollësitë rreth personazhit të këngëtares së shndërruar në aktore nuk janë zbuluar ende, por Joker shquhet për lidhjen e tij abuzive me personazhin Harley Quinn, psikiatrja e tij në institucionin mendor e njohur si Arkham Asylum, e cila bie në dashuri me të dhe bëhet ndihmësja dhe partnerja e tij në krim. Në rast se marrëveshja finalizohet dhe Gaga angazhohet në këtë film, atëherë ajo do ta portretizojë rolin e Quinnit. Sidoqoftë, ky version i personazhit ekziston në një univers ndryshe nga Harley Quinni e portretizuar së fundmi nga aktorja Margot Robbie.

Por kjo nuk është e tëra. Disa burime thonë se filmi i ri “Joker” mund të përfshijë edhe muzikë.

Todd Phillips ka ca kohë që është duke e bashkëshkruar skenarin e këtij vazhdimi të dytë me skenaristin, Scott Silver, dhe më në fund ia ka prezantuar atë udhëheqësve të studios filmike “Warner Bros”.

Javën e kaluar, regjisori përmes rrjeteve sociale e zbuloi titullin e projektit të ri që është, “Joker: Folie à deux”. Titulli i referohet një termi mjekësor për një çrregullim mendor identik ose të ngjashëm, që prek dy ose më shumë individë, zakonisht anëtarë të së njëjtës familje. Derisa postimi në rrjetet sociale e shfaqte yllin hollywoodian, Joaquin Phoenix, duke e lexuar skenarin e filmit të ardhshëm, përfshirja e tij nuk është e sigurt ende. Disa burime kanë thënë për “The Hollywood Reporter” që studioja prapa këtij filmi, ende nuk ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me aktorin e famshëm.

Kur studioja “Warners Bros” e realizoi versionin e saj të filmit “Joker”, suksesi i këtij projekti nuk ishte fare i garantuar. Personazhi i njohur për publikun erdhi në një formë ndryshe, më të errët, me ca elemente të çuditshme humori dhe plotësisht i çmendur. Promovimi i tij ishte minimal dhe i tërë filmi për t’u realizuar kushtoi vetëm 60 milionë dollarë.

Deri në kohën kur u publikua nëpër kinema në tetor të vitit 2019, “Joker”, i cili ishte projekt i kategorizuar si i papërshtatshëm për fëmijë, u bë filmi i katërt më fitimprurës i të gjitha kohërave. Më pas i fitoi 11 nominime për çmim “Oscar”.

Ndërkohë, Todd Phillips po ashtu ka shërbyer si producent i filmit të vitit 2018, “A Star Is Born”, ku rolet protagoniste i luanin Bradley Cooper dhe Lady Gaga.