Showbiz

McConaughey nga Shtëpia e Bardhë bën thirrje për reformë në ligjin e armëve

Ylli i kinematografisë, Matthew McConaughey, i kujtoi viktimat e sulmit të fundit me armë zjarri në shkollën fillore në vendlindjen e tij, Uvalde, gjatë një konference për media në Shtëpinë e Bardhë, raportoi portali “NME”.

Të martën (7 qershor), aktori i famshëm e dha një fjalim prekës dhe të pasionuar me ç’rast bëri thirrje për reformë në ligjin e armëve, pas incidentit që e tronditi shtetin ku mbetën të vdekur 19 nxënës dhe dy mësuese. Ngjarja tragjike ndodhi më 24 maj në qytetin Uvalde të Texasit.

Gjatë fjalimit që zgjati 21 minuta, Matthew i kërkoi Kongresit të bëjë ndryshime rreth ligjeve të armëve, duke thënë se ekziston një rrugë e qëndrueshme përpara në lidhje me legjislacionin për sigurinë e armëve.

“Kjo nuk duhet të jetë një çështje partiake. Veprimet e këtyre personave që sulmojnë me armë zjarri nuk bazohen në vlerat demokratike apo republikane, por thjeshtë njerëzit në pushtet kanë dështuar në marrjen e masave për parandalimin e këtij fenomeni. A mund të bëhen bashkë te dyja palët në këtë drejtim? A munden te dyja partitë të shohin përtej problemit politik në fjalë dhe ta pranojnë se ne e kemi një problem të madh të ruajtjes së jetëve të qytetarëve? Tani e kemi mundësinë për të bërë zgjedhje të cilat bëjnë më shumë sesa ta mbrojnë partinë tuaj”.

McConaughey, i cili po ashtu e posedon një armë, tha se pronarët e ndërgjegjshëm të armëve janë lodhur nga fakti se Amendamenti i Dytë vazhdon të abuzohet nga disa individë të çmendur.