Showbiz

Heard: Avokatët e Johnnyt ia dolën ta detyronin jurinë t’i shpërfillte provat

Aktorja Amber Heard është shprehur e zhgënjyer pas vendimit të Gjykatës së Qarkut në Virxhia, të mërkurën, e cila e shpalli ish-bashkëshortin e saj, Johnny Depp, fitues dhe duke hedhur poshtë shumicën e pikave në kundërpadinë e saj.

Heard tha pas vendimit, se avokatët e Deppit arritën ta detyronin jurinë që t’i shpërfillte provat në këtë rast.

Ajo ka thënë po ashtu se me këtë vendim, kthehet prapa ideja se dhuna ndaj grave duhet të merret seriozisht.

“Zhgënjimi që ndjej sot është përtej fjalëve. Jam edhe më e zhgënjyer me atë që ky vendim do të thotë për gratë e tjera. Është një kthim prapa. E kthen orën në një kohë kur një grua që foli dhe foli mund të turpërohej dhe poshtërohej publikisht. Kjo e kthen prapa idenë se dhuna ndaj grave duhet marrë seriozisht. Unë besoj se avokatët e Johnny-t ia dolën që ta detyronin jurinë të anashkalonte çështjen kyçe të Lirisë së Fjalës dhe të shpërfillte provat që ishin aq bindëse. Më vjen keq që e humba këtë çështje. Por jam akoma më e trishtuar që duket se kam humbur të drejtën që mendoja se e kisha si amerikane – të flas lirshëm dhe hapur”, ka thënë Heard.

Një juri, të mërkurën, vendosi në favor të Johnny Deppit në lidhje me padinë e tij për shpifje kundër ish-bashkëshortes Amber Heard, duke arsyetuar qëndrimin e tij se Heard sajoi pretendime se ishte abuzuar nga ai para dhe gjatë martesës së tyre të shkurtër.

Pos fitimit të rastit, Deppit iu njoh e drejta për kompensim në vlerë 15 milionë dollarë. Në padi kishte kërkuar 50 milionë dollarë.

Ndërkohë, Amber Heardit iu miratua vetëm një nga pikat në kundërpadinë e saj prej 100 milionë dollarësh ndaj Deppit, duke fituar kështu vetëm 2 milionë dollarë dëmshpërblim.