Showbiz

Aktori Kevin Spacey akuzohet për ngacmim seksual ndaj tre burrave

Foto: AP/Associated Press

Aktori amerikan, Kevin Spacey, akuzohet për ngacmim seksual ndaj tre burrave në Mbretërinë e Bashkuar, ka njoftuar të enjten Shërbimi Prokurorial i Britanisë, shkruan BBC-ja.

62-vjeçari u akuzua pasi janë shqyrtuar provat pas disa ankesave që datojnë mes viteve 2005-2013.

Tri prej këtyre ankesave kanë të bëjmë me abuzim seksual që pretendohet se kanë ndodhur në Londër dhe në Gloucestershire.

"Ai është akuzuar gjithashtu për nxitjen ndaj një personi për t'u përfshirë në aktivitet seksual pa pëlqim. Akuzat pasojnë një shqyrtim të provave të mbledhura nga Policia në hetimin e saj”, ka thënë Rosemary Ainslie, kryetare e Divizionit Special të Krimit në këtë shërbim prokurorial.

Akuzuesi i parë pretendon se ai u ngacmua seksualisht nga Spacey dy herë në Londër në mars të vitit 2005. Një tjetër akuzues tha se Spacey e ngacmoi atë në gusht të vitit 2008. I njëjti ankues ka akuzuar Spaceyn për nxitje për t’u përfshirë në aktivitet seksual pa pëlqim, ndërsa ankuesi i tretë ka pretenduar se Spacey e ngacmoi seksualisht atë në Gloucestershire në prill të vitit 2013.