Showbiz

Yjet e showbizit reagojnë ndaj tragjedisë së fundit në Texas

Taylor Swift ka folur për dhimbjen që po e ndien pas masakrës së fundit në një shkollë në Texas, si pasojë e së cilës mbetën të vdekur të paktën 19 nxënës.

Këngëtarja e cila kishte një muaj pa postuar në rrjetin social Twitter, nuk u durua pa reaguar ndaj të shtënave me armë zjarri në qytetin Uvalde.

“Jam e mbushur me zemërim e pikëllim dhe po ndihem e thyer nga vrasja e nxënësve të pafajshëm në Uvalde, vrasja e dhjetëra personave në Buffalo dhe shumë ngjarje të tilla që po vazhdojnë të ndodhin në vendin tonë. Jam e pikëlluar për faktin se ne si komb jemi kushtëzuar nga zemërthyerjet e pakuptueshme dhe padurueshme”, deklaroi Swift.

Amerika u trondit të martën (24 maj) nga tragjedia e fundit, ku një 18-vjeçar shtiu me armë zjarri në një shkollë fillore në Uvalde të Texasit, duke i vrarë 19 fëmijë, një mësues dhe duke i lënë të lënduar disa persona.

Sulmuesi po ashtu përfundoi i vdekur. Besohet se ai u vra nga policia. Hetimet rreth rastit po vazhdojnë ende.

Akti i fundit i dhunës në Shtetet e Bashkuara e shënon numrin më të madh të viktimave nga të shtënat me armë zjarri, prej tragjedisë së vitit 2012 në shkollën e mesme “Sandy Hook” në Connecticut, raporton agjencia e lajmeve “AP”. Ky po ashtu është rasti i 27-të i sulmit me armë zjarri në shkolla për këtë vit.

Pas lajmit zemërthyes, yje të shumtë të showbizit reaguan në rrjetet sociale, duke e shprehur zemërimin e tyre për mungesën e kontrollit të armëve në vend, dhe duke kërkuar ndryshime nga ligjvënësit.