Showbiz

Shpallet fituesi i edicionit të 20-të të shout “American Idol”

Pas një sezoni të vrullshëm që i festoi dy dekada të shout “American Idol”, të dielën mbrëma u kurorëzuar kampioni i garës së famshme muzikore gjatë një finaleje 3-orëshe të mbushur me yje.

Para se të bëhej i ditur emri i fituesit, tre finalistët e shout, Noah Thompson, HunterGirl dhe Leah Marlene, dolën në skenë për ta interpretuar nga një këngë të Bruce Springsteenit dhe një këngë origjinale të tyre.

Në fund të mbrëmjes, ishte 20-vjeçari Thompson ai i cili e fitoi titullin e “idhullit amerikan”, raportoi të hënën portali “Billboard”.

Këngëtari i muzikës country i cili punon si punëtor ndërtimi në Kentucky, i interpretoi gjithsej 3 këngë për t’i dhënë kohë publikut që ta votojë konkurrentin e tyre të preferuar. Ai e performoi hitin e Springsteenit, “I’m On Fire”, këngën e tij origjinale “One Day Tonight”, dhe ‘coverin’ e preferuar të këtij sezoni të hitit të Rihannas, “Stay”.

Thompson u përball me një konkurrencë të fortë në finale, këngëtarja 24-vjeçare nga Tennessee, HunterGirl, emri i vërtetë i së cilës është Hunter Wolkonowski, dhe këngëtarja tjetër 20-vjeçare e quajtur, Marlene.

Si zakonisht, finalja u karakterizua me performancën e yjeve të njohur të muzikës, të tillë si: grupi “Earth, Wind & Fire”, këngëtari Flo Rida, ylli i muzikës country Deana Carter, anëtarët e jurisë Lionel Richie, Katy Perry dhe Luke Bryan, këngëtarët e famshëm James Arthur, Michael Bublé dhe Melissa Etheridge dhe të tjerë.