Showbiz

Michael Sheen është bërë baba për herë të tretë

Aktori i njohur Hollywoodian, Michael Sheen, e ka mirëpritur në jetë fëmijën e dytë me të dashurën 27-vjeçare, Anna Lundberg, raportoi portali “Female”.

Ylli 53-vjeçar i kinematografisë, i cili e ka edhe vajzën 23-vjeçare, Lily, nga lidhja e mëparshme me aktoren Kate Beckinsale, e shfrytëzoi rrjetin social Twitter për ta ndarë lajmin se është bërë baba për herë të tretë.

Pa e zbuluar gjininë apo emrin e foshnjës, Sheen e ndau një fotografi të shoqëruar me mbishkrimin: “Dhe krejt papritur… erdhi edhe një fëmijë tjetër që hidhej mbi shtrat”.

Ylli i filmave “Twilight”, i cili po ashtu ka qenë në lidhje romantike për tri vjet me aktoren Rachel McAdams, dhe komedianen Sarah Silverman nga viti 2014 deri më 2018, e bëri publik lajmin se ai dhe e dashura e tij suedeze janë në pritje të një fëmijë, në mars të këtij viti.

Së fundmi, Michael Sheen foli për faktin se sa shumë e ka shijuar vetizolimin si pasojë e pandemisë, kjo ngase ia ka dhënë mundësinë të kalojë kohë kualitative me familjen e tij.