Showbiz

Viola Davis u vlerësua me çmimin “Women In Motion Award” në Kanë

Ylli i njohur hollywoodian, Viola Davis, u shpërblye të dielën (22 maj) me çmimin, “Women In Motion Award”, në kuadër të festivalit të filmit në Kanë.

Aktorja e shumëshpërblyer u nderua për punën e saj si aktore, producentë dhe aktiviste.

“Kjo është hera e parë për mua që vijë në festivalin e filmit në Kanë. Prandaj, jam e mahnitur me gjithë këtë organizim. Mendoj se ngjarjet e këtilla janë pjesa më e bukur e kësaj bote. Ma kujton pse kam rënë në dashuri me kinemanë, filmin dhe aktrimin”, deklaroi Davis në ceremoni.

Viola e filloi karrierën në teatër, para se ta fitonte rolin e vlerësuar lartë nga kritika në filmin “The Help”. Ajo e kishte rolin protagonist në serialin televiziv, “How to Get Away with Murder”, të realizuar nga Shonda Rhimes, për të cilin projekt e fitoi një çmim “Emmy”. Në vitin 2016, aktorja luajti në filmin “Fences”, krahas yllit hollywoodian Denzel Washington, dhe për këtë performancë u shpërblye me çmimet “Globi i Artë” dhe “Oscar” në kategorinë “Aktorja më e mirë në rol dytësor”.

Në vitin 2020 u nominua për të njëjtat çmime, por kësaj radhe si “Aktorja më e mirë”, për performancën e shkëlqyer në filmin biografik, “Ma Rainey’s Black Bottom”. Aktualisht ajo është pjesë e serialit televiziv, “The First Lady”, ku e portretizon ish-zonjën e parë të Amerikës, Michelle Obama. Në muajin prill, aktorja e publikoi librin me kujtime të titulluar “Finding Me”.

Në një intervistë mbi qilim të kuq të shtruar në Kanë, Davis para gazetarëve të agjencisë së lajmeve “AP” deklaroi: “Do të më duhet ta mbaj një fjalim. Unë nuk e kam shprehi të përgatis fjalime për ngjarje të këtilla. Më duket sikur kam mjaft shumë për të thënë. Kam 33 vjet që jam pjesë e këtij biznesi dhe me kalimin e kohës kam krijuar eksperiencë të madhe, prandaj edhe kam shumëçka për të folur. Ndihem e nderuar që po e pranoj këtë shpërblim, dhe kur të dal në skenë do ta di saktësisht se çfarë dua të them”.

Davis gjithmonë ka bërë thirrje hapur për përfshirje më të madhe në industrinë e filmit dhe ka bërë fushatë për barazi gjinore. Ajo ka folur gjithashtu për mungesën e diversitetit në Hollywood, gjë që e detyroi aktoren ta krijojë kompaninë e saj të prodhimit të filmave, “JuVee Productions”, së bashku me bashkëshortin e saj Julius Tennon.

Përveç angazhimit si aktiviste në emër të grave dhe pakicave, Davis gjithashtu bën fushatë kundër kequshqyerjes përmes përfshirjes së saj si zëdhënëse në fondacionet “Hunger Is” dhe “No Kid Hungry”.

Shpërblimi “Women In Motion” u krijua në vitin 2015, dhe ka për qëllim ta vlerësojë punën e grave në industrinë e filmit, para dhe prapa kamerave.