Ylli i kinematografisë, Sarah Jessica Parker, nuk ka folur me kolegun e saj, Chris Noth, prej se u bënë publike akuzat për sulm seksual kundër tij, raportoi portali “Female”.
Dy aktorët e portretizuan çiftin Carrie Bradshaë dhe Mr. Big në serialin “Sex and the City”, dy filmat vazhdues dhe në sezonin e parë të serialit të ripërpunuar, “And Just Like That...”, deri në momentin që disa gra e akuzuan publikisht Nothin për sulm seksual, dhe kështu personazhi i tij në projektin e famshëm televiziv vdes.
Në një intervistë të re për “The Hollywood Reporter”, Sarah Jessica e pranoi se nuk është e gatshme të diskutojë rreth akuzave ndaj kolegut të saj, por e konfirmoi se nga atëherë nuk ka folur me të.
“Nuk e di nëse jam e gatshme të flas për këtë temë, por nuk mendoj se kam reaguar si producente e serialit”, deklaroi aktorja 57-vjeçare teksa ballafaqohej për t’i nxjerrë fjalët e saj. Më pas kur u pyet nëse ka qenë në kontakt me ish-kolegun, ajo tha: “Jo”.
Sarah Jessica Parker, Cynthia Nixon dhe Kristin Davis e kanë shfaqur publikisht përkrahjen ndaj grave që e kanë akuzuar kolegun e tyre, Chris Noth, për sulm seksual.
Ato kanë deklaruar se kanë mbetur të pikëlluara nga akuzat e ngritura kundër ish-kolegut të tyre, dhe i lavdëruan akuzueset e tij që kishin forcën për të ngritur zërin rreth eksperiencës së tyre të rëndë.
Përmes një deklarate të përbashkët, aktoret thanë: “Jemi shumë të pikëlluara nga akuzat kundër Chris Nothit. Ne i mbështesim plotësisht të gjitha gratë që kanë marrë guximin të flasin dhe t’i ndajnë me publikun përjetimet e tyre të dhimbshme. E dimë se duhet të ketë qenë diçka e vështirë për ta bërë, prandaj i përgëzojmë për guximin që e kanë treguar”
Dy gra folën publikisht për revistën “The Hollywood Reporter” me ç’rast deklaruan se janë sulmuar seksualisht nga aktori 67-vjeçar.
Një grua e identifikuar vetëm sikur Zoe, tha se në vitin 2004 ishte përdhunuar nga aktori kur ajo ishte vetëm 24-vjeçare. Kurse, një grua tjetër e njohur me emrin Lily, deklaroi se ajo ishte 25-vjeçare kur kishte dalë në takim darke me Nothin i cili më pas e kishte sulmuar seksualisht. Ngjarja kishte ndodhur në vitin 2015 në New York.
Aktori i cili së fundmi u pushua nga puna në serialin “The Equalizer”, ku ai e portretizonte një agjent të CIA-s krahas aktores Queen Latifah, si dhe u pushua si klient nga agjencia e talenteve “A3 Artists Agency” me të cilën kishte bashkëpunuar me vite, i ka mohuar kategorikisht të gjitha akuzat kundër.
“Akuzat e ngritura kundër meje nga këto gra të cilat i kam takuar para disa vjetësh dhe dekadash, janë plotësisht të pavërteta. Këto histori mund të kenë qenë nga 30 vjet ose 30 ditë më parë, por për mua fjala jo gjithmonë do të thotë jo, dhe ky është një kufi të cilin nuk e kam kaluar kurrë. Është e vështirë të mos vihet në dyshim koha e daljes së këtyre historive. Nuk e di me siguri pse po dalin në sipërfaqe tani, por e di këtë: unë nuk i kam sulmuar këto gra”, ka deklaruar Noth në një intervistë për “The Hollywood Reporter”.
Chris Noth i cili nga viti 2012 është i martuar me aktoren kanadeze, Tara Wilson, po ashtu i ka cilësuar akuzat ndaj tij si “plotësisht të pavërteta”. Megjithëkëtë ai ka premtuar se do të bashkëpunojë me autoritetet nëse policia përfshihet në këtë çështje dhe rasti i tij shkon në gjykatë.