Showbiz

Kelly Clarkson largohet nga “The Voice”, zëvendësohet nga një tjetër yll i muzikës

Descriptive Text

Këngëtarja shumë e dashur për publikun, Kelly Clarkson, e cila për shumë vjet ka shërbyer si anëtare e jurisë së shout “The Voice”, është larguar nga emisioni shumë i ndjekur i kanalit NBC, raportoi të hënën portali “CinemaBlend”.

Një muaj pasi filluan spekulimet se këtë vit, përbërja e jurisë së “The Voice” do të ndryshonte drastikisht, dhe pak orë pasi u konfirmua se Gëen Stefani do të rikthehej në këtë shou në vend të Ariana Grandes, u zbulua se anëtarja favorite e adhuruesve dhe fituesja e shumëfishtë e garës muzikore, Kelly Clarkson, gjithashtu po largohet nga projekti për t’u fokusuar në zhvillimin e emisionit të saj televiziv. Por fatmirësisht, ajo do të zëvendësohet nga një tjetër yll botëror i muzikës.

Fjala është për këngëtaren latine, Camila Cabello, e cila i bashkohet tre anëtarëve tjerë, Blake Shelton, John Legend dhe Gwen Stefani në sezonin e 22-të të “The Voice”.

 

 

Dy vjetët e fundit ishin të mira për Cabellon, e cila po e shijon suksesin e jashtëzakonshëm të filmit muzikor, “Cinderella”, i realizuar për platformën “Amazon Prime”. Albumi i saj i tretë i incizuar në studio, “Familia”, u lansua në prill të këtij viti, krahas një koncerti virtual të transmetuar në TikTok. Ajo pritet që nga fundi i 2022-s ta fillojë turneun me rok-grupin, “Coldplay”, si dhe është angazhuar për të performuar në ceremoninë hapëse të finales së Ligës së Kampionëve.

Mos të harrojmë ta përmendim se para pak javësh e shënoi debutimin si mysafire muzikore në emisionin “Saturday Night Live”, në episodin e prezantuar nga ylli i Hollywoodit, Jake Gyllenhaal. Atje, Cabello i interpretoi hitet, “Bam Bam” dhe “Psychofreak”, të sjell në bashkëpunim me këngëtaren e muzikës punk, Willow Smith.

Ende nuk dihet data e saktë e rikthimit të emisionit “The Voice”, por fansat mund ta presin transmetimin e tij në kanalin NBC nga fundi i këtij viti.