Mbrëmje familjare për çiftin Scott dhe Jenner në “Billboard Music Awards”
E dielat mbrëma ishte një festë familjare për reperin Travis Scott dhe yllin televiziv Kylie Jenner, raportoi të hënën portali “People”.
Scott u shoqërua nga e dashura e tij miliardere dhe vajza e tyre 4-vjeçare, Stormi, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Billboard Music Awards” ku ai performoi.
Bukuroshja 24-vjeçare, Jenner, që është motra e vogël e yllit televiziv Kim Kardashian, u shfaq mahnitëse me një fustan të gjatë të ngushtë për trupi, flokët e kapura me shumë elegancë dhe aksesorët e mëdhenj në duar që ia kompletonin dukjen. Derisa Stormi simpatike e kishte veshur një mini-fustan ngjyrë të bardhë me njërin krah të zbuluar, të kombinuar me atlete të thella po ashtu të bardha.
Menjëherë pas performancës së tij, Scott u takua prapa skenës me Kylien dhe Stormin të cilat ia dhanë një përqafim të madh reperit.
Performanca live në ceremoninë e së dielës e shënoi paraqitjen e tij të dytë televizive, prej tragjedisë e cila ndodhi në festivalin e tij muzikor, “Astroworld”, në nëntor të vitit të kaluar dhe ku mbetën të vdekur 10 persona dhe qindra të tjerë pësuar lëndime. Incidenti në fjalë e ka mbajtur Scottin dhe familjen e tij, larg vëmendjes së publikut për ca kohë.
Siç duket, Kylie Jenner dhe Stormi Webster, kanë dashur ta shoqërojnë reperin në këtë ngjarje, për t’i dhënë përkrahje në rikthimin e tij të ngadalshëm në skenën e muzikës.
E përgjegjës për angazhimin e Travisit për të performuar në “Billboard Music Awards” është, Sean “Diddy” Combs. Të hënën, producenti 52-vjeçar deklaroi: “Lajmi i fundit. Për ceremoninë ‘Billboard Music Awards’ këtë të diel e kam bërë një kërkesë. U thash organizatorëve se dua që vëllai im Travis Scott të performojë. Unë jam producent ekzekutiv i kësaj ngjarjeje dhe më vjen mirë që NBC e pranoi kërkesën time”.
Gjatë një interviste për televizionin “Revolt” të realizuar javën e kaluar, Diddy i cili po ashtu shërbeu si prezantues i ceremonisë “Billboard Music Awards” tha: “Nuk do të ketë anulim të Scottit. Dashuria ka të bëjë me faljen... prandaj ishte e rëndësishme për mua që ai të performonte në ceremoni. Do të jetë një natë fantastike për të gjithë, këtë ua premtoj”.
Çifti i njohur i showbizit, Scott dhe Jenner, e kanë edhe një djalë së bashku që erdhi në jetë në fillim të këtij viti dhe emri i së cilit nuk është zbuluar ende për publikun e gjerë.