Showbiz

Në moshën 93 vjeçare, James Hong bëhet me yll në Hollywood

Descriptive Text

Aktori aziatik 93-vjeçar, James Hong, i cili prapa vetes i ka më shumë se 400 role filmike të realizuara gjatë karrierës 70-vjeçare, më në fund u nderua me yll në shtegun e të famshmëve në Hollywood.

Hong, një aktor kinezo-amerikan karriera e së cilit filloi në vitin 1954, ka qenë pjesë e projekteve ikonike televizive dhe filmike, si “Friends”, “Seinfeld”, “Kung Fu”, “Kung Fu Panda”, “Mulan”, “Hawaii Five-O” dhe “Blade Runner”, raportoi agjencia e lajmeve “AP”.

Kolegia e tij në filmin e fundit, “Everything, Everywhere All at Once”, Jamie Lee Curtis, ishte e pranishme në ceremoninë e zbulimit të aktorit me ç’rast tha se ky nderim ishte paksa i vonuar.

“Tani do të emocionohem. Qendra e filmit tonë të ri ‘Everything, Everywhere All at Once’ dhe qendra e James Hongut si njeri, është mirësia dhe dashuria. Këto dy kualitete që ai i posedon, vazhdojnë të ndikojnë në rrethin e tij, duke frymëzuar ndryshime transformuese tek njerëzit që e njohin, duke më përfshirë edhe mua sepse shoqërinë me ty e konsiderojë si një prej bekimeve më të mëdha të jetës. Por më duhet ta them se ky nderim është vonuar, pasi James Hong ka kohë të gjatë që është dashur ta pranonte yllin e tij në shtegun e famës në Hollywood. Zoti të bekoftë ty James dhe të gjithë juve që erdhët sot këtu për të festuar bashkë me ne”.

Rrugëtimi i Hongut drejt marrjes së këtij ylli filloi më shumë se dy vjet më parë, në gusht të vitit 2020, kur aktori dhe producenti Daniel Dae Kim e krijoi një faqe “GoFundMe”, për t’i mbledhur më shumë se 50 mijë dollarët e nevojshme për financimin e yllit. Në vetëm disa ditë, Kim mblodhi paratë dhe e dorëzoi aplikacionin.

Kim po ashtu qe i pranishëm në ceremoni me ç’rast theksoi se, James Hong tani është pjesë e 19 aziatikëve që janë nderuar me yll në bulevardin e famës, që e përbëjnë më pak se 1 për qind të yjeve të nderuar.

Pavarësisht moshës së tij, Hong ishte plot energji gjatë gjithë ceremonisë duke qëndruar vazhdimisht në këmbë derisa kolegët e lavdëronin në skenë, duke vallëzuar me valltarët tradicional kinez dhe duke pozuar krahas yllit të tij.