Ylli i muzikës pop, Shawn Mendes, ka treguar se kënga e tij e re, “When You’re Gone”, është frymëzuar nga ndarja e tij me këngëtaren latine, Camila Cabello, raportoi të hënën portali “Female”.
Mendes ishte në lidhje romantike me yllin e hitit “Havana”, për më shumë se 2 vjet, por në nëntor të vitit të kaluar çifti vendosi të ndahet.
23-vjeçari nga Kanadaja e pranoi se procesi i shkrimit të këngës “When You’re Gone”, e ka lejuar atë të adaptohet me idenë e të qenit përsëri vetëm.
“Mendoj se në shumë mënyra, gjatë realizimit të kësaj kënge po e procesoja ndjenjën e të qenit sërish vetëm, dhe të mësohesha se si të përballem dhe të jem aty për veten time. Kënga fillimisht ishte menduar si një baladë e trishtuar dhe përfundoi duke u shndërruar në një kënge me ritme optimiste, kështu që është interesante”, deklaroi Mendes.
Ylli i hitit “Stitches”, vazhdoi duke shpjeguar se ndarja e teksteve të cenueshme me fansat ka qenë gjithmonë e rëndësishme për të, pasi i ndihmon njerëzit të lidhen më ngushtë me muzikën e tij dhe tekstet e shkruara nga ai.
“Ndarja e muzikës dhe ndarja e teksteve të cilat e shprehin anën time të cenueshme, ka qenë gjithmonë e rëndësishme për mua, sepse gjithmonë mendoj se mund të ketë edhe njerëz të tjerë të cilët po kalojnë nëpër të njëjtën gjë. Mendoj se kështu krijohet një botë ku dikush mund ta gjejë më shumë veten dhe të ndihet më pak i vetmuar”, tha këngëtari në intervistën e fundit për emisionin “ETOnline”
Dy artistët e famshëm, Mendes dhe Cabello, e bënë të ditur lajmin e ndarjes kah fundi i vitit 2021, duke deklaruar se dashuria për njëri-tjetrin vazhdon të jetë më e fuqishme se kurrë.
Shawn aktualisht është duke punuar në një album të ri si dhe po bëhet gati për turneun botëror “Wonder”. Ylli i hitit “Senorita” ka deklaruar se është i vendosur të krijojë muzikë autentike.
Mendes tashmë ka gëzuar suksese të jashtëzakonshme gjatë karrierës së tij, duke i fituar disa çmime të rëndësishme si dhe duke i pushtuar toplistat muzikore anembanë botës.