Kërkesat dhe çmimet për biletat e turneut të komedisë së Chris Rockut, janë rritur dukshëm nga incidenti në ceremoninë “Oscar”, ku aktori Will Smith e goditi atë me shuplakë në fytyrë.
Komediani i famshëm hollywoodian do ta fillojë turneun “Ego Death World Tour” të shtunën (2 prill), pas një ndalese të shkurtër në teatrin “Wilbur” të Bostonit, të mërkurën.
Nga momenti dramatik i së dielës, çmimet e biletave për performancat e turneut të Rockut, në kuadër të së cilit do të përshihen gjithsej 30 shou në qytete të ndryshme të Amerikës Veriore, janë rritur nga 46 dollarë, sa ishin në fillim të muajit mars, në 341 dollarë, raportoi të martën portali “Variety”.
Gjithashtu u bë e ditur se nga mbrëmja e së dielës dhe gjatë gjithë ditës së hënë, kompania “TickPick” ka shitur më shumë bileta për turneun e komedianit se asnjëherë më parë.
We sold more tickets to see Chris Rock overnight than we did in the past month combined.
— TickPick (@TickPick) March 28, 2022
Chris Rock po ashtu do të ndalojë për të performuar në qytetet të tilla si, New York, Chicago dhe Las Vegas.
Ndërkohë, të martën Will Smith e postoi një mesazh në rrjetin social Instagram, përmes së cilit i kërkoi falje publike Rockut, duke thënë se sjellja e tij ishte e papranueshme dhe e paarsyeshme.
“Dhuna në të gjitha format e saj është helmuese dhe shkatërruese. Sjellja ime në ndarjen e çmimeve ‘Oscar’ ishte e papranueshme dhe e paarsyeshme. Shakatë në emrin tim janë pjesë e punës dhe industrisë në të cilën punoj, por një shaka për gjendjen shëndetësore të Jadas ishte e tepërt për mua dhe reagova emocionalisht. Do të doja t’i kërkoja falje publike, Chrisit. Isha i pushtuar nga tërbimi dhe gabova. Tani po ndihem shumë në siklet dhe veprimet e mia nuk ishin tregues i burrit që dua të jem. Nuk ka vend për dhunë në një botë dashurie dhe mirësie. Gjithashtu do të doja t’i kërkoja falje Akademisë, producentëve, të gjithë të pranishmëve në sallë dhe atyre që e shikojnë ceremoninë në mbarë botën. Po ashtu do të doja t’i kërkoja falje familjes Williams dhe bashkëpunëtorëve të filmit ‘King Richard’. Më vjen shumë keq që sjellja ime ka njollosur atë që ka qenë një udhëtim i mrekullueshëm për të gjithë ne”, shkruhej në mesazhin e aktorit.
Drama e së dielës që po konsiderohet si një prej skandaleve që do të hyjë në historinë e ceremonisë “Oscar”, ndodhi kur në përpjekje për të bërë humor, Chris Rick, iu drejtua aktores Jada Pinket Smith duke i thënë se mezi pret ta shoh të luajë në filmin “G.I. Jane 2”, me ç’rast iu referua kokës së saj të rruar.
Aktorja e famshme, njëherësh bashkëshortja e Will Smithit prej 25 vjetësh, ka folur disa herë publikisht rreth faktit se vuan nga rënia e flokëve, si pasojë e sëmundjes të quajtur Alopecia.