Showbiz

Akademia e Arteve dhe Shkencave reagon ndaj veprimit të Will Smithit: Nuk e falim

Foto: AP/Associated Press

Vjen reagimi i parë i Akademisë së Arteve dhe Shkencave, pas ngjarjes së pahijshme që ndodhi në ceremoninë e së dielës mbrëma të ndarjes së çmimeve kinematografike “Oscar”.

Pas dramës së shkaktuar gjatë transmetimit live, kur Will Smith u acarua nga një shaka e komedianit Chris Rock, drejtuar bashkëshortes së tij, Jada Pinkett Smith dhe reagoi duke e goditur me shuplakë në fytyrë Rockun, Akademia, e cila merret me organizimin e ceremoninë prestigjioze reagoi përmes Twitter, ku shkruhej: “Akademia nuk e fal dhunën në asnjë formë. Sonte jemi të lumtur t’i nderojmë fituesit të edicionit të 94-t të ceremonisë sonë, të cilët e meritojnë këtë moment të vlerësimit nga kolegët dhe adhuruesit e filmit anembanë botës”.

 

 

Ndaj veprimit të aktorit Will Smith kanë reaguar edhe disa personalitete të hollywoodit, raportoi të hënën portali “Evening Standard”.

Regjisori Judd Apatow e quajti incidentin një “zemërim dhe dhunë jashtë kontrolli”.

“Ai ka mundur ta vrasë atë. Veprimi i Willit ishte plotësisht zemërim dhe dhunë jashtë çdo kontrolli. Ata nuk janë të rinj në botën e Hollywoodit dhe komedisë, dhe i kanë dëgjuar miliona shaka në emër të tyre përgjatë tri dekadave të fundit. Willi e ka humbur mendjen. U tregua një narcisist i vërtetë”, shkruhej në mesazhin e regjisorit në Twitter.

Rreth kësaj ngjarje, komediania kontroverse, Kathy Griffin, deklaroi: “Më lejoni t'ju them diçka, është një praktikë shumë e keqe të ngjitesh në skenë dhe të sulmosh fizikisht një aktor humori. Tani të gjithë duhet të shqetësohemi se kush do të dëshirojë të jetë Will Smithi i ardhshëm, që bënë veprime të këtilla ndaj komedianëve”.

Ndërsa regjisori, Rob Reiner, tha se arsyetimet e Smithit ndaj veprimit të tij nuk vlejnë fare.

“Will Smith ia ka borxh Chris Rockun një kërkim falje publike. Asgjë nuk e arsyeton veprimin e tij. Ai është me fat që Chris nuk po ngeh padi kundër tij. Arsyetimet që i bëri sonte ishin të kota”.

Në anën tjetër, djali i çiftit hollywodian, Will dhe Jada, Jaden Smith, e shprehi përkrahjen ndaj veprimit të të atit duke e postuar mesazhin ku shkruhej: “Dhe kështu e bëjmë ne”. Më vonë e postoi një tjetër mesazh ku deklaroi: “Fjalimi i babait tim më bëri të përlotem”.

 

 

Ende nuk ka reagim nga dyshja, Will Smith dhe Jada Pinket Smith, apo aktori i famshëm i komedisë, Chris Rock. Megjithëse ndër vite, shakatë nganjëherë të pakëndshme nga komedianët janë konsideruar si të tepruara në ceremoni glamuroze, megjithatë dhuna fizike nuk gjen përkrahje apo arsyetim në komunitetin artistik.