Showbiz

Madonna do të bashkëpunojë me Katy Perryn në një këngë remix

Foto: AP/Associated Press

Mbretëresha e muzikës pop, Madonna ka bashkëpunuar me pop yllin Katy Perry në videoprojektin e vitit 2015, “B**** I’m Madonna”, dhe tani besohet që ylli i hitit “I Kissed A Girl” do të përfshihet në versionin remix të një prej këngëve më të rëndësishme të albumit të ardhshëm të saj.

“Madonna ka punuar me shumë përkushtim këto javët e fundit. Ajo, jo vetëm që është angazhuar në realizimin e filmit biografik por gjithashtu ka qëndruar në studio me orë të tëra duke i incizuar këngët e reja. Ajo ka kohë që është adhuruese e madhe e Katy Perryt dhe gjithmonë ka thënë se një ditë do ta realizojë një këngë me të. Dhe me këtë projekt remix, më në fund gjërat kanë rënë në vendin e duhur. Dhe duke qenë se planet rreth këtij bashkëpunimi janë në zhvillim e sipër, ende nuk dihet ndonjë datë e caktuar e lansimit të kësaj kënge. Shpresojmë që fansat nuk do të duhet të presin shumë për të”, ka deklaruar një burim i afërt për gazetën “The Sun”.

Në muajin tetor të këtij viti, Madonna i feston katër dekada prej lansimit të këngës debutuese “Everybody”, e lansuar në vitin 1982.

Ylli i hitit “Beautiful Stranger” po ashtu ka punuar shumë rreth shkrimit të filmit të saj biografik, si dhe e ka konfirmuar se për titullin e këtij projekti është frymëzuar nga njëra prej këngëve të saj të vitit 2000. Madonna, përveç që po e bashkëshkruan skenarin e projektit me Diablo Codyn, po ashtu do të shërbejë si regjisore e tij.

Në një intervistë të fundit, ajo deklaroi se po ndihet çuditshëm që përmes këtij filmi po rikthehet prapa në historinë e jetës së saj.

“Është e çuditshme të shkruaj për jetën dhe të kaluarën time. Më duket sikur po jetoj në atë periudhë kohore dhe kjo po ma ngatërron trurin paksa. Megjithatë, dua ta sjell në ekran rrugëtimin e jashtëzakonshëm në të cilin më ka dërguar jeta si artiste, muzikante, valltare dhe si një person duke u përpjekur t’i hapë rrugët e saj në këtë botë. Fokusi i filmit gjithmonë do të jetë muzika. Muzika më ka mbajtur aktive dhe arti më ka mbajtur të gjallë. Kam aq shumë tregime të parrëfyera më parë dhe tejet inspiruese, prandaj kush është më i përshtatshëm për t’i treguar ato sesa unë. Është shumë e rëndësishme t’i ndajë me publikun dhe fansat kujtimet e mira dhe të këqija të jetës sime, përmes zërit dhe vizionit tim.”

Aktorja e filmit “League of their Own”, së fundmi e zbuloi se është në bisedime me Julia Foxin për ta angazhuar me rol në filmin e saj. Besohet se Foxi po konsiderohet për portretizimin e mikeshës së këngëtares, Debi Mazar.

Ylli i hitit “Material Girl” gjatë karrierës disa dekadëshe i ka lansuar 14 albume të incizuara në studio, të cilat kanë shënuar suksese të jashtëzakonshme në skenën muzikore anembanë botës. Ajo shquhet si mbretëresha e muzikës pop dhe prapa vetes bartë një numër të madh të hiteve. Disa prej këngëve të Madonnas më të pëlqyera nga publiku janë: “La Isla Bonita”, “Material Girl”, “Like a Prayer”, “Vogue”, “Music”, “Ray of Light”, “Frozen”, “Sorry” dhe të tjerë.