Showbiz

Pamela Anderson nuk do ta shikojë kurrë serialin “Pam and Tommy”

Foto: AP/Associated Press

Ylli hollywoodian, Pamela Anderson, nuk planifikon ta shikojë ndonjëherë serialin e ri të platformës Hulu, “Pam and Tommy”.

Aktorja e njohur hollywoodiane, Lily James, e portretizon yllin e “Baywatch” në mini-serialin i cili fokusohet në shpërndarjen e videos së vitit 1995, ku çifti i asaj kohe Pamela Anderson dhe Tommy Lee shihet duke kryer marrëdhënie seksuale.

Së fundmi një burim i afërt me Andersonin për “Entertainment Weekly”, ka bërë të ditur se ajo nuk është e interesuar fare në këtë projekt.

“Unë e di sigurt që ajo nuk do ta shikojë kurrë këtë serial, as pas kalimit të shumë vjetëve. Madje nuk do ta shikojë as trailerin e tij”.

Krijuesit e serialit kanë treguar se e kishin kontaktuar Pamelan para realizimit të tij, por nuk kanë pranuar përgjigje nga aktorja 54-vjeçare. Ndryshe nga muzikanti, Tommy Lee, që kishte pranuar të flasë me aktorin Sebastian Stan i cili e portretizon atë në serial.

“Tommy nuk i kupton gjërat. Ai vazhdon ta ketë mendimin e njëjtë si të asaj kohe, që çfarëdo publiciteti është reklamë e mirë për ta”, deklaroi mikesha e aktores që mbetet e paidentifikuar dhe e cila tutje shtoi, “Si shoqe e Pamelas, të paktën askush nuk do të më pyesë më nëse videokaseta është vjedhur vërtet. Por, imagjinoni nëse sot do të publikoheshin pamje nudo të një personazhi të famshëm, dhe më pas Hollywoodi ta rikrijonte jo vetëm krimin por edhe pamjet aktuale. Kjo nuk do të ndodhte kurrë. Në vitet ’90, trupi i Pamelas u konsiderua nga një gjykatës si pronë publike. Nuk ekzistonin kurrë dyshimet se videoja ishte pronë e vjedhur, por gjykata vendosi që ajo nuk ishte pronë private për shkak se trupi i saj i përkiste botës.”.

Producentët e shout “Pam and Tommy”, megjithatë arritën ta realizojnë atë pa lejen e Andersonit.

Në anën tjetër, aktorja 32-vjeçarje Lily James ka deklaruar se është ndier e çliruar gjatë kohës sa e ka portretizuar Andersonin në këtë projekt, edhe pse i ishte dashur t’i kalojë katër orë çdo ditë në dhomën e grimit për t’iu nënshtruar transformimit fizik. Ajo po ashtu e ka pranuar se kurrë më parë nuk ka punuar më shumë në një projekt, dhe ka bërë hulumtime të thella mbi bukuroshen bionde duke i lexuar të gjithë librat që Anderon i ka shkruar, poezitë e saj dhe pothuajse të gjitha intervistat që i ka dhënë ndër vite.

“Pam and Tommy” tashmë po shfaqet për publikun në platformën digjitale Hulu.