Bob Dylan ka shitur të gjithë katalogun e tij të muzikës së regjistruar në Sony Music.
Kompania e regjistrimit e përshkroi marrëveshjen për muzikën 60-vjeçare të tij si një "marrëveshje historike".
Marrëveshja u përfundua në korrik të vitit të kaluar, por u njoftua këtë javë.
Marrëveshja përfshin "tërësinë e punës së regjistruar të Bob Dylan që nga viti 1962", sipas Sony Music, duke filluar me albumin e tij debutues të vetëtitulluar dhe duke vazhduar deri në "Rough and Rowdy Ways" të vitit 2020. Sony shtoi se marrëveshja përfshin gjithashtu të drejtat për publikime të shumta të ardhshme nga Dylan.
Ndërsa kompania nuk e bëri të ditur çmimin e marrëveshjes, revista Billboard vlerëson se regjistrimet kanë vlerë rreth 200 milionë dollarë, bazuar në të ardhurat që gjenerojnë ato.
"Më vjen mirë që të gjitha regjistrimet e mia mund të qëndrojnë aty ku e kanë vendin”, ka thënë Dylan, 80-vjeçar, në një deklaratë.
Dylan dhe Sony Music kanë një histori të gjatë, që daton që nga tetori i vitit 1961, kur ai nënshkroi me Columbia Records, e cila është në pronësi të kompanisë së regjistrimit, dhe regjistroi albumin e tij debutues po atë vit.
Kjo nuk është e vetmja mega marrëveshje që Dylan ka nënshkruar vitet e fundit. Në dhjetor 2020, ai ia kishte shitur të gjithë katalogun e këngëve të tij - i cili është i ndarë nga të drejtat e muzikës së regjistruar dhe mbulon muzikën dhe tekstet - te Universal Music Publishing Group. Në atë pikë, marrëveshja u konsiderua një ndryshim i madh për këngëtarin dhe kompozitorin, i cili kishte kontrolluar pjesën më të madhe të pronës së tij intelektuale.
Dylan ka shumë këngë të famshme, duke përfshirë "The Times They Are a-Changin", "Like a Rolling Stone" dhe "Mr. Tambourine Man".
Në vitin 2008, ai fitoi një Pulitzer për "ndikimin e tij të thellë në muzikën popullore dhe kulturën amerikane, të shënuar nga kompozime lirike me fuqi të jashtëzakonshme poetike".
Në vitin 2016, Dylan u nderua me Çmimin Nobel në Letërsi për "krijimin e shprehjeve të reja poetike brenda traditës së madhe të këngës amerikane".
Ai ka shitur më shumë se 125 milionë disqe dhe vazhdon të performojë në mbarë botën.