Showbiz

Adele vazhdon t’i kryesojë toplistat muzikore

Descriptive Text

Kantautorja e njohur britanike, Adele, po vazhdon kryesimin e toplistave muzikore. Kënga e saj e re “Easy On Me” po e shënon javën e dhjetë në pozitën e parë të toplistës së 100 këngëve më të mira “Billboard”.

Ky sukses i radhës vjen vetëm disa ditë pasi këngëtarja e baladave më të mira të dekadës, i befasoi të gjithë me lajmin e shtyrjes së performancave në Las Vegas, vetëm 24 orë para se të fillonte koncerti i parë.

Arritja e re po ashtu e barazon rekordin që ajo i kishte vendosur vetes në vitin 2015 me publikimin e hitit “Hello”, i cili gjithashtu u rendit në vendin e parë të kësaj topliste për 10 javë rresht.

Në anën tjetër, lajmin për shtyrjen e koncerteve në Las Vegas këngëtarja e bëri në formë emocionale, përmes postimit të një videoje në Instagram ku shfaqej e përlotur duke iu kërkuar falje adhuruesve.

Portali “DailyMail” ekskluzivisht ka mësuar se superylli i muzikës, për pikëllimin e shkaktuar nga kjo situatë ka gjetur ngushëllim në krahët e të dashurit të saj. Menjëherë pasi ua kumtoi lajmin e hidhur fansave ajo kishte shkuar në shtëpinë e agjentit të sportit, Rich Paul, në Beverly Hills.

“Më vjen shumë keq, por shou im nuk është gati. Ne kemi provuar absolutisht gjithçka që mundemi për t’i bërë gati gjërat në kohë dhe që shou të jetë mjaftueshëm i mirë për ju. Por, jemi shkatërruar absolutisht nga vonesat e dërgesave si pasojë e pandemisë. Gjysma e ekuipazhit dhe gjysma e anëtarëve të bendit janë të prekur nga Covidi, prandaj ishte e pamundur ta përfundoja shoun në kohë. Unë nuk mund t’ua ofroj atë që e kemi përgatitur aktualisht dhe jam shumë e zhgënjyer me veten për këtë. Jam e mërzitur dhe më vjen keq që po ju lajmëroj në momentin e fundit. Kemi qëndruar zgjuar për më shumë se 30 orë duke u përpjekur t’i finalizojmë gjërat disi, por fatkeqësisht na ka mbaruar koha. Po ndihem e pikëlluar, e turpëruar dhe më vjen shumë keq për të gjithë ata që kanë udhëtuar nga vende të ndryshme për t’i ndjekur koncertet e mia”, kishte deklaruar Adele në mesazhin e saj.

Në fund, këngëtarja insistoi se koncertet do të realizohen gjithsesi në një të ardhme të afërt, si dhe të gjitha biletat e blera do të jenë të vlefshme për datat e reja.