Showbiz

Tiffany Haddish u arrestua për ngasje nën ndikimin e alkoolit

Foto: AP/Associated Press

Ylli i njohur hollywooodian, Tiffany Haddish, është arrestuar për ngasje të veturës në gjendje të dehur. Ngjarja ka ndodhur në fundjavë dhe autoritetet kanë bërë të ditur se aktorja është akuzuar për vozitje nën ndikimin e alkoolit.

Komediania e dashur për publikun ishte ndaluar pasi policia e qytetit Peachtree e kishte pranuar një telefonatë rreth orës 2:30 të mëngjesit, në lidhje me një shofer që po flinte në timon në një autostradë. Kështu bëri të ditur ndihmës shefi i policisë, Matt Myers, në një njoftim për media.

Më vonë, Haddish u lirua me kusht pasi e pagoi shumën prej 1.666 dollarësh. Policia nuk dha më shumë hollësi rreth rastit apo nëse është caktuar ndonjë datë gjyqësore.

As zëdhënësit e aktores nuk kanë pranuar të komentojnë rreth kësaj ngjarjeje.

Tiffany Haddish rolin depërtues në karrierë e shënoi me komedinë “Girls Trip”, dhe nga atëherë është shndërruar në yll të filmave të këtij zhanri duke realizuar projekte të suksesshme filmike, si “The Kitchen”, “Night School” dhe “Like A Boss”.

Ajo po ashtu e ka shkruar librin bestseller, “The Last Black Unicorn” si dhe e ka prezantuar emisionin e njohur televiziv me titull, “Kids Say The Darndest Things”.

Projekti i saj i ardhshëm do të jetë seriali “The Afterparty” ku ajo e portretizon një detektive e ngarkuar për zbardhjen e vrasjes së një personi të famshëm, në një ndejë në shtëpinë e tij. Seriali lansohet në platformën “Apple TV+” nga 28 janari.