Showbiz

Bella Hadid e vendosur të jetë reale me fansat në rrjetet sociale

Foto: AP/Associated Press

Ylli i modës, Bella Hadid, është e vendosur që të jetë sa më reale që është e mundur me adhuruesit e saj në rrjetet sociale.

Në fund të vitit të kaluar, bukuroshja 25-vjeçare foli hapur për betejën e vazhdueshme me depresionin gjatë një postimi në Instagram dhe pas reagimeve që i ka pranuar pas postimit të këtij mesazhi, Bella po ndihet e inkurajuar që të vazhdojë të jetë e sinqertë me ndjekësit e saj.

Hadid e cila i ka më shumë se 48 milionë ndjekës në këtë rrjet social, përmes një deklarate të fundit tha: “Ai postim më bëri të ndihem më pak e vetmuar sepse shumë njerëz më kontaktuan duke më thënë se edhe ata ndihen njësoj sikur unë. Kur i postova mesazhet e disa prej këtyre njerëzve, ishte me qëllimin që të sigurohesha se kushdo që po ndihej në atë mënyrë, ta kuptonte se nuk janë të vetëm dhe është në rregull të ndihesh ashtu”.

Tash e tutje, Bella dëshiron që në rrjetet sociale ta flasë vetëm të vërtetën e saj dhe jo ta ndjekë trendin e shumë të famshmëve dhe influencuesve që postojnë vetëm gjërat e mira. Sipas supermodeles, kjo kryesisht ndikon negativisht te njerëzit e sidomos tek të rinjtë.

Bukuroshja zeshkane për revistën “WSJ” deklaroi: “Edhe pse në Instagram gjërat duken të bukura, në fund të ditës ne të gjithë jemi të njëjtë. Mu duk diçka e mirë për mua që të kisha mundësi ta tregoja të vërtetën time, sepse në një pikë të jetës më nuk isha në gjendje të postoja vetëm fotografi të bukura. Nuk më pëlqente më kjo gjë”.

Tutje, Bella shtoi se sot të jesh sa më i sinqertë është në trend dhe e pranoi se qëndrimi i saj kundrejt mediave sociale ka ndryshuar këto muajt e fundit.

“Nuk e di nëse kjo është ajo që njerëzit duan ta shohin në Instagramin tim dhe jam në rregull për këtë. Nuk kam pse të jem përgjithmonë e pranishme në rrjetet sociale. Por, unë mendoj se sinqeriteti është shumë në trend kohëve të fundit dhe pikërisht kjo është gjëja më e rëndësishme për mua”.

Në muajin nëntor, Bella i postoi disa fotografi kur ajo shihej e stresuar dhe në gjendje të keqe emocionale dhe mendore. Përmes tyre, modelja e famshme e informoi publikun se po ballafaqohet me ankthin dhe depresionin, si dhe për shumë vjet ky kishte qenë realiteti i saj për çdo ditë e çdo natë.

Përktheu: Edona Binaku