Showbiz

Rebel Wilson vjen në rolin e prezantueses së ceremonisë “BAFTA”

Foto: AP News

Aktorja australiane, Rebel Wilson, do ta prezantojë ceremoninë e sivjetme “BAFTA”, kështu bëri të ditur Akademia Britanike e Filmit.

Komediania e famshme e njohur për rolet në filma të tillë si, “Bridesmaids” dhe “Pitch Perfect”, do ta drejtojë ngjarjen e rëndësishme të kinematografisë në Britani të Madhe, e cila mbahet më 13 mars në lokacionin e famshëm të Londrës, “Royal Albert Hall”.

“Jam shumë e nderuar që do ta prezantoj ceremoninë e ndarjes së çmimeve ‘BAFTA’ në muajin mars, kur COVID-19 nuk do të ekzistojë më sepse deri atëherë sigurisht që kjo pandemi do të anulohet. Do të jetë një natë shumë argëtuese. Nuk dua t’i shtoj vetes presion sepse e di që nuk do të jem qesharake pasi më nuk jam e plotë. Ky shou do të jetë një festë e përvitshme e disa filmave të rëndësishëm britanik dhe jam e sigurt se të gjithë do të argëtohen. Shihemi në muajin mars”, deklaroi aktorja përmes një komunikate zyrtare për media.

Amanda Berry, njëra nga organizatoret e kësaj ngjarjeje, tha se Rebel Wilson shpesh e ka rrëmbyer vëmendjen e publikut nëpër ceremoni të ndryshme shpërblyese, dhe mezi po presin ta sjellin sharmin dhe humorin e saj në këtë shou, i cili ka për qëllim t’i festojë projektet më të mira filmike.

Ceremonia e kaluar “BAFTA” u prezantua nga dyshja, Edith Bowman dhe Dermot O’Leary, pa publik të pranishëm në sallë dhe me masa të rrepta të sigurisë shkaku i pandemisë së koronavirusit. Ende nuk dihet në çfarë formati do të organizohet shou sivjet, derisa nominimet do të bëhen publike me datën 3 shkurt.

Këtë vit, ky shou do të garojë me atë “Critics Choice Awards” që zë vend në Los Angeles, i cili së fundmi e ricaktoi datën e mbajtjes në të njëjtën natë me ceremoninë “BAFTA”.