Showbiz

Dokumentari i Kanye Westit do të shfaqet në Netflix

Foto: AP/Associated Press

Netflixi e ka bërë të ditur lajmin se dokumentari i Kanye Westit, “jeen-Yuhs: A Kanye Trilogy”, do ta shënojë premierën më datë 16 shkurt.

Platforma digjitale e ka përshkruar këtë film dokumentar si ‘një ngjarje globale trejavore e cila ndodhë një herë në jetë’, dhe do ta përshkruajë në tërësi karrierën shumëngjyrëshe dhe herë-herë të diskutueshme të reperit.

Pjesa e parë e dokumentarit do të lansohet edhe nëpër kinema më 10 shkurt të këtij viti, si dhe do të përfshijë pamje të papara më herët të Kanyes duke punuar në studio incizuese dhe duke performuar.

Filmi vjen me regji të dyshes, Coodie dhe Chike, të cilët janë përgjegjës për realizimin e shumë videoklipeve muzikore të Westit, përfshirë këtu projektet “Jesus Walks” dhe “Through the Wire”.

Traileri i sapo lansuar i dokumentarit e shfaq reperin e njohur amerikan në studion incizuese në vitin 2002, i përfshirë në një debat nëse ai është gjeni apo jo. Në një tjetër skenë, 44-vjeçari West shfaqet po ashtu në studio në shoqërinë e yjeve të muzikës, si Jay-Z, Pharrell Williams dhe Kid Cudi.

“jeen-Yuhs” planifikohet të shfaqet në Festivalin ndërkombëtarë të filmit në Sundance, i cili do të mbahet në formë virtuale në fund të këtij muaji.

Producenti i filmit dhe presidenti i studios “TIME”, Ian Orefice, deklaroi: “Filmbërësit Coodie dhe Chike e kanë krijuar një film të jashtëzakonshëm dhe ne jemi të nderuar që ata i kanë besuar studios ‘TIME’ për prodhimin e dokumentarit ‘jeen-yuhs: A Kanye Trilogy’”.

Së fundmi u raportua se Kanye, i cili në fund të vitit 2021 e ndërroi ligjërisht emrin në Ye, dëshiroi shumë ta mbante një koncert në minutën e fundit të natës së Vitit të Ri, por iu desh të hiqte dorë nga ky plan pasi ekipi i tij nuk ishte në gjendje ta siguronte në kohë një vend për ta mbajtur koncertin.

Përktheu: Edona Binaku