Showbiz

Kryeministri britanik bëhet baba për herë të shtatë

Boris Johnson dhe gruaja e tij Carrie Johnson kanë mirëpritur në jetë një vajzë – fëmijën e tyre të dytë së bashku dhe të shtatin për kryeministrin britanik.

Foshnja lindi në një spital në Londër herët në mëngjes të enjten.

“Edhe nëna edhe vajza janë shumë mirë. Çifti dëshiron të falënderojë ekipin e shkëlqyer të maternitetit të NHS për të gjithë kujdesin dhe mbështetjen e tyre”, deklaroi një zëdhënëse e çiftit për AP.

Lindja u njoftua disa minuta pasi Komisioni Zgjedhor gjobiti Partinë Konservatore të Johnsonit me 17.800 funte për dështimin e raportimit të saktë të donacioneve të përdorura për financimin e ridekorimit të banesës, ku çifti jeton me djalin e tyre, Wilfred.

Fëmija i shtatë i Johnsonit, me gruan e tretë, vjen në një kohë kur posti i tij i kryeministrit është nën vëzhgim intensiv pas një feste të fshehtë Krishtlindjesh të mbajtur në Downing Street në kulmin e bllokimit të vitit të kaluar.