Yjet e muzikës, Rihanna, Beyonce dhe Taylor Swift, kanë arritur të bëhen pjesë e listës së “100 grave më të fuqishme në botë” të përpiluar nga revista “Forbes”.
Këngëtarja e hitit “Work”, Rihanna, gjatë kësaj vere iu shtua listës së miliarderëve të botës pasi revista e shquar si bibla e fushës së biznesit, “Forbes”, raportoi se 33-vjeçarja nga Barbadosi e posedon një pasuri prej 1.7 miliardë dollarë, falë karrierës së suksesshme muzikore dhe kompanisë “Fenty” e cila shet produkte të modës dhe bukurisë. Në listën e “100 grave më të fuqishme të botës”, Rihanna e njohur me nofkën Riri, renditet në vendin e 68-të.
Në vendin e 76-të pozicionohet ylli i hitit “Crazy in Love”, Beyonce. Ajo e gëzon një pasuri miliona dollarëshe falë muzikës dhe turneve që ajo i realizon, e që janë ndër më fitimprurësit në këtë industri. Këngëtarja e njohur e zhanrit R&B, po ashtu fiton shuma të mëdha të të hollave nga bizneset e saj, përfshirë këtu linjën e koleksioneve “Ivy Park” të krijuara me markën e njohur Adidas.
Në anën tjetër, 31-vjeçarja Taylor Swift e njohur si një prej këngëtareve më të dashura të muzikës pop, këtë vit u rendit në vendin e 78-të të kësaj liste, kryesisht falë karrierës rekordthyese në muzikë. Së fundmi ajo e theu rekordin e toplistës “Billboard Hot 100” për këngën më të dëgjuar, të cilin për 50 vjet e mbante artisti 76-vjeçar Don Mclean, me hitin “American Pie”. Ylli i hitit “Shake It Off” e rrëzoi nga pozita legjendën e muzikës, me këngën që zgjatë 10 minuta, “All Too Well”, dhe e cila është pjesë e albumit të fundit të riincizuar, “Red (Taylor’s Version)”.
Prezantuesja dhe afaristja e famshme, Oprah Winfrey, po konsiderohet ndër gratë më të suksesshme në botë dhe pozicionohet në vendin e 23-të të kësaj liste, aktorja dhe producentja miliardere Reese Witherspoon gjendet në vendin e 74-t, regjisorja Ava DuVernay pozicionohet e 80-ta dhe ylli i tenisit, Serena Williams, gjendet në vendin e 85-të të listës së përvitshme të “100 grave më të fuqishme në botë”, ku përfshihen gra të cilat janë shefe ekzekutive, afariste, politikane dhe personalitete mediale apo të showbizit.