Aktori 25-vjeçar, Tom Holland, do ta portretizojë valltarin, këngëtarin dhe aktorin legjendar, Fred Astaire, në filmin e ardhshëm të studios “Sony Pictures”.
Së fundmi producentja e këtij projekti, Amy Pascal, e bëri të ditur se dëshiron që Holland ta luaj rolin e ikonës së kinematografisë, Astaire, krahas vazhdimeve tjera të filmave “Spider-Man”.
Holland për gazetarët e pranishëm në premierën e tij të fundit, deklaroi: “Skenari i kësaj biografie ka arritur para një jave. Nuk e kam lexuar atë, sepse ende nuk ma kanë dorëzuar mua”.
Tutje, ai tregoi se kishte qenë në kontakt të vazhdueshëm me producenten Amy Pascal, për ta personifikuar këtë rol.
“Pak më herët ajo më kontaktoi përmes një videolidhjeje dhe e zhvilluam një bisedë të këndshme. Por, po, unë do ta portretizojë ikonën Fred Astaire”.
Tom Holland shquhet si performues pasi karrierën në aktrim e filloi në skenën teatrale të Londrës, ku ndër të tjera e kishte luajtur rolin kryesor në shfaqjen muzikore, “Billy Elliot the Musical”. Nda viti 2008 deri më 2010.
Astaire konsiderohet si një prej valltarëve më të mëdhenj në historinë e filmit, pasi luajti në më shumë se 30 projekte kinematografike muzikore, si dhe mbahet mend për bashkëpunimin e vazhdueshëm me ikonën e epokës së artë në Hollywood, Ginger Rogers.
Në lajme të tjera, së fundmi Amy Pascal e konfirmoi lajmin se kompania filmike “Sony” po bëhet gati për ta realizuar filmin e ardhshëm, “Spider-Man”, bashkë me yllin britanik Tom Holland dhe studion “Marvel”.