Showbiz

Dua Lipa konfirmohet si yll botëror

Teksa 2021-s po i vjen fundi, gjigantët e muzikës si “Billboard”, “Spotify”, “Apple Music”, “iHeartRadio” dhe të tjera po i publikojnë listat e këngëve dhe artistëve më të dëgjuar të vitit. Këngëtarja kosovare Dua Lipa zë vend në shumicën e tyre duke u bërë ylli më i madh botëror në muzikë.

“Levitating” e Dua Lipas ishte kënga më e suksesshme e vitit në top-listën më të famshme muzikore në bot “Billboard’s Hot 100”. Drake ishte artisti i vitit, ndërsa Morgan Wallen me albumin e saj doli e para në top-listën e albumeve.

“Levitating” debutoi në këtë listë më 17 tetor të vitit të kaluar. Doli në pozitën e dytë në 22 maj sivjet dhe deri më 4 dhjetor, vazhdon të jetë pjesë e majave të kësaj top-liste. Për çdo javë të vitit ishte pjesë e top-40 këngëve më të dëgjuara, ndërsa në 41 raste ishte pjesë e top-10-shes. Ky është rekord i ri botëror i një këngëtareje. Në përgjithësi, vetëm The Weeknd me 57 javë në top-10 është para Dua Lipës.

“Është diçka shumë e mirë, sidomos për shkak të burimeve të limituara si pasojë e pandemisë. Prandaj kjo nënkupton shumë për mua. Është diçka e pabesueshme”, ka deklaruar Lipa për “Billboard” kur ka kuptuar suksesin e jashtëzakonshëm

Edhe pse s’e ka arritur asnjë javë pozitën e parë, “Levitating” është numri një edhe në listën “Billboard Global 200”, në listën e këngëve më të transmetuara, atë të radiove, listën Pop dhe top-listën e “Billboardit” në Kanada.

Pos suksesit në top-listën më të famshme botërore, Lipa ka zënë vend në pesë-top këngët më të transmetuara në platformën “Spotify”, në top-pesë artistët më të dëgjuar në botë në këtë platformë. “Levitating” ishte edhe top-kënga më e dëgjuar në “iHeartRadio”, ndërsa Lipa ishte artistja e dytë më e dëgjuar në radio.