Adele do ta publikojë të premten albumin e saj të katërt, të titulluar “30”, pas gjashtë vjetësh pauzë në muzikë.
Pak para lansimit të albumit, këngëtarja 33-vjeçare ka folur për realizimin e tij, duke thënë se ka pasur shumë vështirësi emocionale gjatë krijimit të këngëve të reja, për shkak të ndarjes nga bashkëshorti.
Megjithatë, Adele beson se ky album mund t’i ndihmojë fansat e saj që të shpëtojnë nga situata të vështira në të cilat mund të ndodhen.
“Ky album më ka ndihmuar shumë, me të vërtetë”, ka thënë Adele.
“Dhe unë me të vërtetë mendoj se disa nga këngët në këtë album mund të ndihmojnë vërtetë njerëzit, të ndryshojnë vërtet jetën. Dhe unë mendoj se një këngë si "Hold On" mund të shpëtojë jetë”, ka shtuar këngëtarja britanike.
Kënga “Hold On” nuk është publikuar ende, ndonëse Adele tashmë ua ka dhënë fansave të saj një shije të këngës, duke publikuar vetëm një pjesë të saj.