Në Los Angeles u shtrua qilimi i kuq me rastin e premierës glamuroze të filmit të ri të Netflixit, Red Notice”. Të pranishëm me këtë rast ishin edhe tre aktorët protagonist, Dwayne “The Rock” Johnson, Gal Gadot dhe Ryan Reynolds.
Johnson para gazetarëve të pranishëm tha se kompania e tij e produksioneve “Seven Bucks”, më nuk do të përdorë armë të vërteta në sheshin e xhirimeve, kjo pas tragjedisë që ndodhi në xhirimet e filmit “Rust”, që rezultoi me vdekjen e kinematografes, Halyna Hutchins.
“Unë mund të flas vetëm në emër të produksionit “Seven Bucks”, dhe nga tani e tutje ne kurrë më nuk do të përdorim armë të vërteta në realizimin e çfarëdo projekti, televiziv apo filmik. Po ashtu nuk brengosemi për kostot në arritjen e këtij qëllimi. Zakonisht nuk merremi me këso llogaritje. Mendoj se në kompaninë “Seven Bucks Productions” do të punojmë në mënyrën e duhur”.
Hutchins u vra aksidentalisht me armë zjarri nga aktori Alec Baldwin. Ngjarja e cila e tronditi hollywoodin, ndodhi muajin e kaluar gjatë xhirimeve të filmit “Rust” në New Mexico. Johnson tha se kjo tragjedi do të shërbejë si nxitje për ndryshim në Hollywood.
Në komedinë e mbushur me skena aksion, Dwayne Johnson e luan rolin e një agjenti të FBI-së me parime të mira, John Hartley, të cilit i caktohet detyra t’i sjell para drejtësisë disa prej kriminelëve më të mëdhenj në botë. Pa e menduar dhe planifikuar, ai ndeshet me dy hajdutë rival në mes të një grabitjeje, Nolan Booth dhe The Bishop. John vendos ta bëjë një marrëveshje me Nolanin, i personifikuar në film nga Ryan Reynolds, për t’i ndihmuar ta arrestojë hajduten e talentuar, The Bishop, e cila portretizohet nga aktorja Gal Gadot, dhe si shpërblim për ndihmën e tij i premton se do ta shpëtojë nga telashet me të cilat është ngatërruar.
“Filmi i përfshinë tri personazhe kryesore. Agjentin më të mirë të FBI-së në botë i portretizuar në film nga Dwayne, hajduten më të mirë të veprave të artit dhe më të kërkuar anembanë botës, që portretizohet nga unë, dhe hajdutin tjetër të aftë i cili në film luhet nga Ryan. Ngjarja fillon kur agjenti i FBI-së mundohet t’i arrestojë këta dy hajdutë por nga këtu gjërat marrin kahe tjetër”.
Ryan Reynolds tha se shoqëria prapa kamerave ndërmjet tre aktorëve, i ka shmangur problemet potenciale që mund të kishin ndodhur gjatë xhirimeve për shkak të egos.
“Për çudi ne nuk kemi pasur probleme me egot në sheshin e xhirimeve, por kjo ndodhë ngase ne njihemi mirë mes vete dhe ka kohë të gjatë që jemi miq edhe prapa kamerave. Unë e njoh Dwaynein qe 21-vjet. Kur u takuam për herë të parë, ai po e xhironte filmin ‘Scorpion King’ kurse unë atë ‘Van Wilder’. Kjo ka ndodhur para shumë kohësh. Prandaj, duke qenë se e njihnim mirë njëri-tjetrin, gjatë xhirimeve dominonte vetëm dashuria. E di që e dëgjoni këtë nga shumë aktorë, por realizimi i këtij filmi ishte me të vërtetë një eksperiencë e jashtëzakonshme. Sheshi i xhirimeve ishte një vend i bukur për të punuar dhe aktruar”.
Reynolds po ashtu foli për lajmërimin në rrjetet sociale se do të largohet përkohësisht nga aktrimi, për t’u fokusuar në familjen e tij.
“Nuk e di saktësisht se kur do t’i kthehem punës, por më duhet të marr pushim për të kaluar kohë me familjen. Ne zakonisht udhëtojmë e gjithë familja së bashku kur shkoj për të xhiruar ndonjë film, por tani fëmijët janë rritur dhe kanë obligime shkollore dhe kështu nuk kanë mundësi të vijnë me mua në këto udhëtime. Prandaj më duhej të kaloja ca kohë në shtëpi dhe jam me fat që kam mundësinë ta bëjë këtë gjë. Jo të gjithë e kanë këtë mundësi”.
Me skenar dhe regji të Rawson Marshall Thurber, “Red Notice” nis së transmetuari në platformën Netflix, nga 12 nëntori.