Zyrtarë policorë në Santa Fe kanë deklaruar se është ende herët që të ngriten akuza në lidhje me vrasjen aksidentale të drejtoreshës së fotografisë Halyna Hutchins, në setin e xhirimit për filmin “Rust”.
Policia e shtetit ku po zhvilloheshin xhirimet e filmit, ka mbajtur të mërkurën një konferencë për media ku ka folur lidhur me ngjarjen tragjike të pothuajse një jave më parë, në xhirimet që po kryheshin në New Mexico.
Mbrëmjen e së premtes së kaluar, aktori i famshëm hollivudian, Alec Baldwin ka vrarë aksidentalisht Hutchinsin ndërkohë që ka lënë të plagosur regjisorin, Joel Souza.
“Mendoj se faktet janë të qarta, një armë po mbahej nga Baldwin. Arma ishte funksionale dhe gjuajti duke lënë të vrarë Huchinsin, dhe të plagosur Souzan”, ka thënë sherifi i Qarkut, Adam Mendoza.
Ai ka thënë se mbetet e paqartë se perse kishte edhe municion tjetër në setin e xhirimit, duke thënë se kjo nuk do të duhej të ndodhte.
“Tani për tani do ta përcaktojmë se përse ato ishin aty, sepse nuk do të duhej të ishin”, ka thënë Mendoza.
Sherifi Mendoza gjithashtu vuri në dukje se 500 fishekë, një përzierje e boshllëqeve, fishekëve bedel dhe fishekëve të gjallë, u gjetën gjatë kërkimit në setin e xhirimeve për filmin "Rust".
“Natyrisht, mendoj se industria ka pasur një rekord kohët e fundit sa i përket të qenit i sigurt. Mendoj se kishte pak vetëkënaqësi në këtë grup dhe mendoj se ka disa çështje sigurie që duhen adresuar nga industria dhe ndoshta nga shteti i New Mexicos”, ka shtuar Mendoza.
Sipas tij, dy persona të tjerë e kanë mbajtur armën që la të vdekur Hutchinsin, para se atë ta mbante Baldwin.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.