Premiera plot glamur e filmit “Las Night in Soho” në Los Angeles
Foto: AP/Associated Press
Aktoret, Anya Taylor-Joy dhe Thomasin McKenzie, shkëlqyen të veshura me fustane ngjyrë metalike në premierën e filmit të tyre të ri, “Last Night in Soho”, teksa të buzëqeshura dhe të kapura dorë për dore parakaluan mbi qilimin e kuq të shtruar me rastin e kësaj ngjarjeje në Los Angeles.
Para gazetarëve të pranishëm, Taylor-Joy tha se ato nuk kishin planifikuar të vishen pothuajse njësojë, por i vjen mirë ta shoh që shoqëria dhe afërsia mes tyre, e zhvilluar në sheshin e xhirimit të filmit, vazhdon të qëndrojë e fuqishme edhe sot.
“Jo, por sapo e pamë njëra-tjetrën e kuptuan se lidhja e fortë mes neve jeton ende. Thomasin është vërtetë një person i mahnitshëm dhe unë e dua shumë atë”.
“Last Night in Soho” e rrëfen historinë e një vajze të re, Eloise, që është e pasionuar pas modës dhe e cila në mënyrë misterioze e ka aftësinë për të udhëtuar në kohë në vitet ’60, ku edhe e takon idhullin e saj, një këngëtare mahnitëse të njohur me emrin Sandy. Por, Londra në këtë periudhë kohore nuk është siç Eloise e kishte imagjinuar.
Regjisori 45-vjeçar, Edgar Wright, i cili njihet për realizimin e filmave të shumtë të suksesshëm të tillë, si: “Baby Driver”, “Cornetto Trilogy”, “Shaun of the Dead”, “Hot Fuzz” dhe “The World’s End”, kishte deklaruar se ka qenë shumë i lumtur për faktin se më në fund e ka realizuar një film, ngjarja e së cilit zhvillohet në qytetin e Londrës.
Kurse në premierë, Wright tha se gjatë xhirimeve të filmit, dy aktoret protagoniste kishin krijuar një lidhje jashtëzakonisht të fuqishme mes veti.
“Skenat e para që ato u desh t’i realizonin së bashku, ishin disa nga më koreografiket dhe më të komplikuarat të filmit. Prandaj unë mendoj që si rezultat i këtij fakti, ato u lidhën shumë me njëra tjetrën sikur të ishin motra. Rolet e vajzave e kanë një lidhje të fortë mes vete dhe ishte e domosdoshme që edhe aktorët ta krijonin një lidhje të fortë e cila do të reflektohej në ekran. Pra, ishte një eksperiencë intensive për te dyja por duke qenë se janë aktore dhe performuese të shkëlqyeshme, e morën detyrën e tyre me shumë guxim dhe seriozitet”.
Përderisa regjisori me anë të këtij filmi i ka shfaqur disa karakteristika të viteve ’60, si stili argëtues i modës dhe të tjerë, ai megjithëkëtë i ekranizon edhe disa elemente të errëta të asaj periudhe kohore. Pra, filmi përmban edhe element të horrorit që nënkupton se ka skena të mbushura me aksion, vrapim, ulërima dhe përgjakje.
Për këtë arsye, 25-vjeçarja Taylor-Joy tha që ishte e rëndësishme që herë pas here, aktoret të gjenin pak paqe dhe qetësi në sheshin e xhirimeve.
“Epo, ajo që është e mrekullueshme është fakti se unë kam qenë shumë me fat kohët e fundit, duke bashkëpunuar me kasta të mrekullueshme të aktorëve. Unë dhe Thomasin menjëherë e krijuam një lidhje të fuqishme mes veti, dhe që të dyja kemi dëshirë që nganjëherë të qëndrojmë të heshtura. Kjo gjë është e domosdoshme për të qenë në gjendje ta kuptosh mënyrën se si lëviz dikush tjetër, sepse ajo që po e bën në thelb është të parashikosh lëvizjen e dikujt përpara se të ndodhë. Pra, duhet të përfshiheni kaq shumë me personin që keni përballë. Dhe për çudi, ky stil i punës ne të dyjave na duket diçka shumë relaksuese”.
21-vjeçarja McKenzie, tutje tregoi se nganjëherë ato largoheshin nga pjesa tjetër e aktorëve, për ta frymëzuar njëra-tjetrën.
“Definitivisht. E dini, ka pasur disa momente kur kishim kohë pushimi apo ndonjë pauzë të vogël ku shkonim në dhomën e gjelbër apo diçka tjetër dhe thjesht bisedonim apo e frymëzonim njëra-tjetrën, duke shpërndarë energji të mirë sepse xhirimet e këtij filmi ishin vërtetë intensive. Ai përfshinë skena të shumta të vrapimit, ulërimave, aksionit dhe gjithçka tjetër. Kështu që ndonjëherë kishim nevojë t’i jepnim forcë njëra-tjetrës. Dhe padyshim u ndjeva jashtëzakonisht e mbështetur nga ajo. Anya është e mrekullueshme”.
Në të rolet protagoniste të këtij projekti vijnë aktorët, Thomasin McKenzie, Anya Taylor-Joy, Matt Smith, Terence Stamp, Diana Rigg, Rita Tushingham, Michael Ajao dhe Synnøve Karlsen.
“Last Night in Soho” do të fillojë së shfaquri nëpër kinematë e Amerikës nga 29 tetori.