Showbiz

J Balvin kërkoi falje publike për videoklipin e këngës “Perra”

Foto: AP/Associated Press

Ylli 36-vjeçar i muzikës latine, J Balvin, ka kërkuar falje publike për videoprojektin e tij të fundit me titull “Perra”, i cili vjen në bashkëpunim me rep artisten dominikane, Tokischa.

Këngëtari është kritikuar ashpër për videoklipin kontrovers, i cili e shfaq atë duke ecur me dy gra me ngjyrë të lidhura në zinxhirë, e të cilat portretizohen sikur kafshë.

Tani, Balvin e ka shfrytëzuar rrjetin social Instagram për të kërkuar falje publike për këtë veprim të pandjeshëm nga ana e tij.

“Unë nuk jam person i tillë. Unë besoj shumë në tolerancë, dashuri, paqe dhe gjithëpërfshirje. Po ashtu më pëlqen t’i mbështes artistët e rinj, në këtë rast reperen Tokischa, një grua e cila i përkrahë dhe promovon njerëzit dhe komunitetin e saj dhe i fuqizon gratë”.

Balvin po ashtu shpjegoi se tashmë e ka marrë vendimin për ta larguar videoklipin e këngës “Perra” nga platforma YouTube.

“Në shenjë respekti, unë e kam larguar videoklipin nga YouTube para tetë ditëve. Por, për shkak se kritikat kanë vazhduar kam vendosur të deklarohem publikisht. Nënë, dua të të kërkoj falje edhe ty. Jeta bëhet më e mirë me kalimin e çdo dite. Faleminderit të gjithëve që më dëgjuat”, me këto fjalë këngëtari e përfundoi fjalimin e tij në Instagram Story.

Raymi Paulus, i cili e ka bërë regjinë e videoklipit “Perra”, po ashtu ka diskutuar rreth skenave kontroverse të përfshira në të, në një intervistë të fundit për revistën “Rolling Stone”.

“Unë e kuptoj që nuk do të ketë kurrë një mendim unanim për atë se çfarë përbën arti, por, për mua, arti nuk komunikon vetëm bukurinë dhe pozitivitetin, por i paraqet gjithashtu të metat e shoqërisë, temat tabu dhe mënyra të tjera për të parë realitetin që nuk përputhet gjithmonë me vizionin pop që e dominon në tregun aktual”.

Në anën tjetër, rep artistja Tokischa ka kërkuar falje për faktin se i ka ofenduar njerëzit me muzikën e saj. Por, ajo ka insistuar se arti është mënyrë e shprehjes dhe nuk do të thotë se ka gjithmonë qëllime të këqija. Sipas artistes 25-vjeçare ajo përmes muzikës së saj, mundohet vetëm ta krijojë një botë më ndryshe nga ajo që zakonisht e shohim në industrinë e muzikës.