Duka dhe dukesha e Cambridget e organizuan ceremoninë e vonuar për të shënuar zbulimin e homazhit prej bronzi për nënën e ndjerë të vëllezërve mbretërorë - e cila vdiq në një aksident me makinë në Paris më 31 gusht 1997, në moshën 36-vjeçare - në Pallatin Kensington në fillim të kësaj jave, përderisa janë falënderuar donatorët e statujës së ngritur në Sunken Garden në rezidencë.
Kurse një burim tani ka zbuluar se princi 39-vjeçar ka mbajtur një “fjalim brilant” në emër të të dyve dhe e ka pohuar se zbulimi i statujës në verë ka ndikuar për mirë në raportin e tyre.
Ata kanë thënë për gazetën “The Sun”: “Ishte shumë intime dhe e ëmbël. Kishte një ndjenjë të vërtetë familjare pasi shumë prej 17 kumbarëve të Dianës ishin gjithashtu aty.
“William mbajti një fjalim brilant duke i shprehur falënderimet në emër të tij dhe Harryt dhe duke treguar se sa të lumtur ishin ata me statujën. Ai e përmendi Harryn me emër. Vëllezërit mezi flasin, por është e qartë se statuja e Princeshës Diana ka ndikuar për mirë”.
Në kohën e zbulimit u pretendua se bashkimi për ta rikujtuar të ëmën u kishte ndihmuar vëllezërve që ta gjenin përsëri gjuhën e përbashkët, pas raportimeve për mosmarrëveshje mes tyre.
Harry, 37 vjeç, dhe bashkëshortja Meghan, dukesha e Sussexit, 40 vjeçe - që jetojnë në Santa Barabra - nuk u kthyen në Londër në fillim të kësaj jave. Sidoqoftë, është raportuar se Harry i ka kontaktuar ata që kontribuuan personalisht në statujë. Për shkak të pandemisë COVID-19, zbulimi i statujës në korrik u zvogëlua masivisht.
Djemtë e Dianës – të cilët i kishte me ish-bashkëshortin, Princin Charles – porositën skulptorin Ian Rank-Broadley që ta krijonte një statujë si shenjë përkujtimi për nënën e tyre.
Vëllezërit shpresojnë që statuja të shihet si simbol i qëndrueshëm i “jetës dhe trashëgimisë” së prindit të tyre.
Ata, në një deklaratë të përbashkët, kishin thënë në atë kohë: “Sot, në ditën që do të ishte ditëlindja e 60-të e nënës sonë, e kujtojmë dashurinë, forcën dhe karakterin e saj - cilësi që e bënë atë një forcë për të mirë në mbarë botën, duke ndryshuar jetë të panumërta për mirë”.