Showbiz

Fëmijët nuk e dinë se babai është yll i “The Hangover”

Fëmijët e aktorit Zach Galifianakis mendojnë se ai është bibliotekist. Ylli i filmave “Muppters” dhe “The Hangover” ka thënë se dy djemtë e tij nuk e kanë idenë se çfarë punon babai i tyre.

“Fëmijët e mi mendojnë se jam bibliotekist diku. Ata nuk e dinë “se jam aktor”. Mendojnë se jam asistent i bibliotekistit diku në qytet”, ka thënë aktori 52-vjeçar për djemtë shtatë dhe katërvjeçar, të cilët i ka me bashkëshorten Quinn Lundberg.

Ylli i filmit “Between Two Ferns” ka bërë shaka duke thënë se uron që fëmijët të mos e marrin vesh kurrë për hitin televiziv “The Hangover”.

“Refuzoj t’ua tregoj. U them se nuk e di për çfarë e keni fjalën. Nuk kam të bëj asgjë me atë film”, ka thënë aktori Galifianakis.

Aktori i shumë filmave komedi ka pranuar se tema e famës së tij është goxha ngacmuese.

“Dëshiron të mbrosh pafajësinë e tyre sa më shumë që të jetë e mundur. Ata janë vetëm fëmijë”, ka thënë aktori.

“Njerëzit shpesh vinin dhe më thonin: “Fëmijët e mi e pëlqejnë “The Hangover” dhe unë thosha me vete: “Je një prind shumë i keq”, ka shtuar ai. “Duhet të jenë më të rritur për të parë atë film”.

Ndërkohë, aktori ka pohuar se për suksesin e tij i ka shumë borxh internetit. Ylli i filmave dyshon se do të bëhej i famshëm para epokës së internetit.

I pyetur nëse Hollywoodi ia ka ndryshuar krejt rrugën, aktori është përgjigjur se këtë e ka bërë interneti.

“Pa shpikjen e internetit do të isha aktor i papunë. Do të isha ende aktor televizionesh”, ka thënë ai.

“Më kujtohet kur isha pjesë e audicionit për serinë “Frasier” dhe regjisori telefonoi menaxherin tim. Më kishte thënë që të bëja një dush para se të vija herën tjetër. Ky ishte vlerësimi”, ka shtuar Galifianakis.