Showbiz

Publikohen pamje të reja të filmit “The Batman”

Është publikuar një trailer i ri i filmit të ardhshëm “The Batman”, i cili në rolin protagonist e sjell aktorin Robert Pattison.

Studioja filmike prapa këtij projekti vendosi t’i ndajë me fansat e superheroit të famshëm, disa pamje të reja të cilat e shfaqin më mirë raportin mes dy personazheve, Batman dhe Catëoman, të portretizuar në film nga Robert Pattinson dhe Zoe Kravitz, si dhe sjell pamje të shkurtra të karaktereve të liga, The Riddler i personifikuar nga Paul Dano, dhe Colin Farrell i cili vjen në rolin e Penguinit.

Regjinë e këtij projekti e ka bërë Matt Reeves i cili përveç rolit të regjisorit, gjithashtu e ka bashkëshkruar filmin me skenaristin Peter Craig.

Në një intervistë të fundit, Zoe Kravitz e përshkroi rolin e Catëoman si shumë kërkues dhe fizik.

“Unë duhej të isha në një formë shumë specifike dhe atëkohë po ballafaqoheshim me pandeminë. Pra, isha e detyruar ta mbaja në trup një kostum të ngushtë për 12 orë të ditës, dhe pas xhirimeve të kthehesha në shtëpi për të ushtruar. Ishte vërtetë një përvojë intensive”.

Krahas yjeve, Pattinson, Kravitz, Dano dhe Farrell, në film luajnë edhe aktorët: Jeffrey Wright, John Turturro, Peter Sarsgaard dhe Andy Serkis.

Kjo është përpjekja e fundit e studios “DC” për ta risjell në ekran personazhin Batman, pas portretizimit të tij nga aktori, Ben Affleck, në filmat “Batman V Superman: Dawn Of Justice” dhe “The Justice League”.

“The Batman” planifikohet të lansohet nëpër kinema më 4 mars të vitit të ardhshëm.