Aktori i njohur britanik, Idris Elba, ka thënë se fama nuk është e mirë ashtu siç shihet nga bota e jashtme. Ylli i filmit të ri “Suicide Squad” ka insistuar se gjersa pamja e superyllit duket e mrekullueshme, kjo gjë e ka kufizuar jetën e tij. Ka shtuar se nuk mund të dehet apo të grindet me dikë, sepse duhet të jetë shembull i mirë për të tjerët.
“Është gjë e mrekullueshme nga jashtë, por ka shumë gjëra që ndodhin, që në sy të publikut nuk janë të mira. Nuk më lejohet thjesht të dal dhe të dehem, apo të ndihem keq të nesërmen. Pjesë e detyrës është që të jesh shembull”, ka thënë aktori Elba.
Aktori britanik ka folur edhe për kritikat që mori kur gjatë vitit të kaluar konfirmoi se kishte rezultuar pozitiv për Covid-19.
49-vjeçari ishte akuzuar se po paguhej për simptomat e rrejshme nga njerëzit që nuk besonin se virusi ishte kërcënim. Aktori ka thënë se virusi ishte vështirë i përballueshëm.
“Gjërat e mira që shihen në publik, nga të cilat kam fituar, u zhdukën menjëherë. Njerëzit që më donin për një moment më urrenin”, ka thënë aktori.
“Të gjithë më thoshin se po gënjeja dhe se isha paguar. Askush nuk më besonte. Mirëpo ishte një periudhë e vështirë”, ka shtuar ai.
Britaniku thotë se tani është falënderues që fitoi betejën me virusin dhe ka premtuar se kurrë nuk do të pretendojë të jetë dikush që nuk është.
“Tani po e shihni një person që është shumë falënderues. Po e shihni një person që ka reflektuar për ato që kanë ndodhur në 18 muajt e fundit. Një person që nuk ka humbur kohë duke pretenduar se është dikush më shumë se ky që jam”, ka thënë Idris Elba.