Showbiz

Stanley Tucci ka folur për eksperiencën me sëmundjen e kancerit

Foto: AP/Associated Press

Derisa po e promovonte librin e ri, “Taste: My Life Through Food”, Stanley Tucci, zbuloi se ishte duke e marrë veten pas trajtimit nga kanceri, gjatë xhirimeve të emisionit të ri për kanalin “CNN” me titull, “Stanley Tucci: Searching for Italy”.

Aktori i filmave “Big Night” dhe “Devil Wears Prada”, ka dhënë më shumë hollësi të betejës së tij me kancerin, në një intervistë ekskluzive për të përditshmen “New York Times”, duke shpjeguar se si kjo sëmundje ka ndikuar në jetën e tij.

Në muajin shtator, Tucci e informoi publikun se para tre vjetësh ishte diagnostikuar me kancer, dhe i ishte nënshtruar tretmanëve me sukses. Tutje ai ka treguar se pas vetëm tri sesioneve të rrezatimit, kishte filluar të përjetojë marramendje dhe humbje totale të oreksit.

“Ishte shumë e vështirë për mua sepse mund të shijoja gjithçka, por nuk mund ta përpija ushqimin. Në raste të caktuara më duheshin dhjetë minuta për t’u përtypur, dhe nganjëherë preferoja të mos haja asgjë”.

Aktori i njohur hollywoodian po ashtu ka treguar se përgjatë kësaj eksperience nuk i është frikësuar vdekjes, por mundësisë së humbjes së shijes.

“Dua të them, nëse nuk mund të hash dhe ta shijosh ushqimin, si mund të bësh çfarëdo tjetër në jetë?” citohet të ketë thënë Tucci.

Derisa ylli i filmit “Supernova” ka shkruar libra të gatimit edhe në të kaluarën, projekti i tij i fundit është një reflektim mbi lidhjen e gjatë të aktorit me ushqimin, përfshirë këtu edhe kujtimet e fëmijërisë kur nëna e tij përgatiste në kuzhinë dhe tregime të ushqimeve të preferuara në sheshin e xhirimeve.

Libri “Taste: My Life Through Food” do të publikohet nga shtëpia e botimeve “Gallery Books” më 5 tetor.

Emisioni “Stanley Tucci: Searching for Italy” e shënoi premierën në fillim të vitit në kanalin “CNN”. Gjashtë episode e shout aktualisht janë në dispozicionin e publikut përmes platformave “YouTube TV”, “HBO Max” dhe të tjerë.