Showbiz

Snoop Dogg në pritje të lansimit të albumit të ri

Foto: AP/Associated Press

Ylli i muzikës re, Snoop Dogg, ka bërë të ditur se shumë shpejt do ta lansojë albumin e ri, si dhe një projekt muzikor për fëmijë.

Gjatë një intervistë për emisionin “The Tonight Show Starring Jimmy Fallon”, Snoop foli për rolin e tij të ri si këshilltari ekzekutiv i studios incizuese, “Def Jam Recordings”, si dhe e paralajmëroi lansimin e albumit të tij të radhës.

Projekti, që do të jetë albumi i 19-të i reperit i incizuar në studio, vjen pas incizimit të lansuar në muajin prill, “From Tha Streets to Tha Suites”, dhe bëhet e ditur se do ta mbajë titullin “Algorithm”.

Albumi lansohet për të gjithë fansat në muajin nëntor si dhe përfshinë bashkëpunime me emra të mëdhenj të muzikës. Kështu deklaroi Snoop Dogg gjatë intervistës me prezantuesin Jimmy Fallon.

“Algorithm” po ashtu e shënon herën e parë në karrierën e reperit, që ai i lanson dy albume brenda një viti kalendarik. Por, kjo nuk është e tëra. Snoop gjithashtu është duke punuar në një album për fëmijë, i cili do të publikohet gjatë vitit 2021.

Snoop ishte mysafir në emisionin “The Tonight Show Starring Jimmy Fallon”, për ta promovuar rolin e tij të pastorit në serialin e ardhshëm të reperit 50 Cent, “BMF”, të krijuar për kanalin “Starz” si dhe huazimin e zërit për personazhin e kushëririt, Itt, në filmin “The Addams Family 2” i cili lansohet të premten.

Si këshilltar ekzekutiv për krijimtari dhe strategji në kompaninë “Def Jam Recordings”, reperi tani do të punojë për së afërmi me studion e njohur incizuese e cila ka marrëveshje bashkëpunimi me yje të famshëm të muzikës, si Kanye West, Justin Bieber dhe Jhené Aiko.

Roli i ri i yllit Snoop Dogg do të thotë se ai do të punojë në mënyrë strategjike me të gjithë ekipin ekzekutiv të kompanisë dhe artistët e saj, me një fokus të veçantë në divizionin që është përgjegjës për kërkimin e talenteve dhe zhvillimin kreativ dhe komercial të artistëve.