Supermodelja Linda Evangelista ka thënë se ka mbetur me “deformime të përhershme” si pasojë e një procedure kozmetike që ka kryer për të reduktuar trashësinë.
Modelja 56-vjeçare ka bërë të ditur se kishte provuar një efekt të rrallë anësor të një tretmani që ka kryer pesë vjet më parë, i cili në fakt ia ka rritur qelizat e trashësisë.
“Kam mbetur, ashtu siç e kanë përshkruar mediat ‘e panjohshme’”, ka thënë ajo për 900,000 ndjekësit e saj në Instagram.
Evangelista ka sqaruar se kjo ishte arsyeja pse ajo ishte zhdukur për një kohë nga syri i publikut.
Modelja kanadeze ka thënë po ashtu se i ishte nënshtruar ndërhyrjeve “shumë të dhimbshme, të pasuksesshme dhe korrektuese”, pasi procedura për hollim, e njohur edhe si konturim i trupit, ka shkaktuar efekte anësore.
“Për ndjekësit e mi të cilët kanë pyetur se përse nuk kam punuar në kohën kur koleget e mija po lulëzonin, arsyeja është se kam qenë brutalisht e shpërfytyruar nga një procedurë e cila bëri të kundërtën e asaj që premtonte”, ka sqaruar Evangelista.
Ajo ka bërë të ditur po ashtu se eksperienca që kishte përjetuar e ka dërguar atë po ashtu në një cikël të thellë të depresionit.
Evangelista po ashtu ka deklaruar se ishte dëshira e saj që ta ndante këtë me fansat, në mënyrë që të gjente rrugën për të vazhduar me jetën, ndërkohë që ka shtuar se do të padisë kompaninë përgjegjëse për atë që ka përjetuar.
Procedura jo-kirurgjike e cila po përdoret me të madhe viteve të fundit, përdor temperatura të ftohta për të reduktuar trashësinë në zona të caktuara të trupit.