Showbiz

Grupi “Fugees” mund të ribashkohet pas 15 vjetësh

Grupi i njohur i muzikës hip-hop, “Fugees”, është në bisedime për t’u ribashkuar pas 15 vjetësh.

Sipas një burimi të afërt, krijuesit e hitit “Ready Or Not”, Lauryn Hill, Wyclef Jean dhe Pras Michel, kanë filluar të komunikojnë sërish dhe po diskutojnë rreth shënimit të 25-vjetorit të lansimit të albumit të tyre të dytë dhe të fundit, “The Score”.

Përveç një filmi dhe turneu muzikor, i cili do ta shënonte rikthimin e tyre të parë në skenat nga viti 2006, besohet se po flitet edhe rreth realizimit të disa këngëve të reja.

“Ky është ribashkimi të cilin askush nuk besonte se do të ndodhte ndonjëherë, por duket se grupi ‘Fugees’ më në fund po bëhet bashkë. Lauryn, Pras dhe Wyclef, janë ende duke shqyrtuar se çfarë duan të bëjnë por kanë arritur t’i sqarojnë të gjitha mosmarrëveshjet e kaluara, dhe mendojnë se kjo është koha e duhur për t’u rikthyer në skenë. Shumë ide po prezantohen, përfshirë këtu një turne, një film dhe ndoshta edhe muzikë të re, çka në fakt do të ishte albumi i tyre i parë në 25 vjetët e fundit. Pra, po flitet shumë rreth një ribashkimi dhe ata duan që kjo gjë realizohet”, citohet të ketë thënë një burim për gazetën “The Sun”.

Grupi i njohur për këngë të shumta përfshirë këtu hitin “Killing Me Softly”, u shpërbë në vitin 1997. Që të tre anëtarët arritën të krijojnë karriera të suksesshme si solo këngëtarë.

Ndër vite, 46-vjeçarja Lauryn Hill shkroi dhe prodhoi këngë për yje të shumtë të muzikës, si Whitney Houston, Aretha Franklin dhe Mary J. Blige, dhe në vitin 1998 e lansoi albumin e shumëpritur si solo këngëtare, “The Miseducation of Lauryn Hill”.

51-vjeçari Wyclef Jean gjithashtu prodhoi hite të shumta për artistë të tjera si dhe e lansoi albumin debutues “The Carnival”, në vitin 1997.

Kurse, 48-vjeçari Pras Michel e publikoi këngën e njohur “Ghetto Supastar (This Is What You Are)”, në bashkëpunim me artistët Ol’Dirty Bastard dhe Mya. Kënga ishte kolonë zanore e filmit të vitit 1998 “Bulworth”.

Në shtator të vitit 2004 ata u ribashkuan në skenë për një koncert në Brooklyn, dhe një vit më vonë, grupi performoi për 12 minuta në edicionin e vitit 2005 të ceremonisë shpërblyese, “BET Awards”.

I njohur si një prej grupeve më me ndikim të viteve ’90, gjatë karrierës “Fugees” i ka shitur më shumë se 22 milion albume anembanë botës.