Reperi Kanye West besohet se ka rrëfyer te shoqëria për tradhtinë ndaj ish-bashkëshortes së tij, Kim Kardashian.
44-vjeçari ka ngjallur spekulimet nga fansat për tradhti gjatë martesës së tij shtatë-vjeçare me Kardashian. Rrëfimin për tradhti e ka bërë edhe në këngën e re “Hurricane” nga albumi i tij “Donda”.
Tani burime të ndryshme kanë thënë për gazetën britanike “The Sun” se Kanye e ka tradhtuar Kim Kardashian sa ishte në një turne muzikor.
“Nuk ishte sekret në mesin e bashkëpunëtorëve të tij të afërt se ai po tradhtonte pas lindjes së Saint”, ka thënë një burim.
“Në turneun e tij Saint Pablo, ai para ekipit ka rrëfyer se ka fjetur me gra të tjera prapa shpinës së Kimit. Përdori një gjuhë shumë të rëndë”, ka thënë burimi.
“Krejt ekipi u shtang, asnjëri nuk mund të besonte që këto gjëra po i tregonte para të tjerëve, dukej se kishte probleme”, ka shtuar ky burim që sipas tij, Kanye po vuante nga problemet mendore.
Burimet për gazetën britanike “The Sun” kanë thënë se ylli televiziv, Kim Kardashian, 40-vjeçare, po bënte gjithçka për martesën, por Kanye ndryshoi kur u përqendrua në fe më shumë.
Kim dhe Kanye u martuan më 24 maj të vitit 2014 në një ceremoni luksoze në Firence të Italisë.
Dyshja u martua gati një vit pas lindjes së vajzës North West, që tani mbush 8 vjeç.
Kim Kardashian bëri kërkesë për shkurorëzim në muajin shkurt. Dyshja është duke bashkëpunuar për hatër të fëmijëve që besohet se janë shumë të lidhur me babanë e tyre.