Kendall Jenner paditet për shkelje të kontratës së modelimit
Brendi italian i modës “Liu Jo” ka paditur modelen Kendall Jenner për shkelje të kontratës, ndonëse kompania e saj e menaxhimit e hedh poshtë një akuzë të tillë.
Në ankesën ligjore të paraqitur në një gjykatë të New York Cityt, kompania italiane e akuzon yllin e “Keeping Up With the Kardashians” se ka shkelur kushtet e një kontrate modelimi, duke mos u shfaqur në njërën prej dy sesioneve të planifikuara për fotografi, për të cilat ajo do të paguhej 1.5 milionë dollarë, përfshirë një tarifë shtesë shërbimi prej 20 për qind të vlerës.
Kendall, e cila ishte modelja më e paguar në botë në vitin 2018 me 22.5 milionë dollarë të ardhura vjetore, sipas revistës “Forbes”, nuk i ka adresuar akuzat, por kompania e saj e menaxhimit të modelit ka lëshuar një deklaratë për media duke i mohuar pretendimet.
Në padinë e saj, “Liu Jo” pretendon se ylli 25-vjeçar mori pjesë në xhirimet e para në korrik të 2019-s dhe ishte paguar 1.35 milion dollarë.
Xhirimi i dytë ishte vendosur që të realizohej në Londër gjatë marsit të 2020-s, porse pandemia e koronavirusit ia pamundësoi asaj udhëtimin në kryeqytetin britanik.
Padia pretendon se palët janë pajtuar që të shtyjnë xhirimet për në vjeshtë, por nuk ishte konfirmuar ndonjë një datë e re. Kendall thuhet se “nuk i ishte përgjigjur ‘Liu Jos’” derisa kompania “e informoi atë se e konsideronte një gjë të tillë si shkelje të kontratës dhe se, për këtë arsye kontrata është shkëputur”.