Showbiz

Obama anulon festën madhështore të ditëlindjes për shkak të rritjes së rasteve me COVID-19

Ish-presidenti amerikan Barack Obama, ka tërhequr planet për një festë të madhe me rastin e ditëlindjes së tij të 60-të, për shkak të rritjes së rasteve me COVID-19 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Obama ka mbushur të mërkurën 60 vjet, ndërkohë që deri në këtë datë kishte planifikuar një ndejë të madhe, me shumë të ftuar, që do të mbahej në Massachusetts, këtë fundjavë.

Mirëpo, për shkak të rritjes së madhe të rasteve me variantin Delta, Obama ka vendosur që të festojë vetëm me familjarë dhe miq të afërt.

Përfaqësuesi i tij ka thënë se ditëlindja e tij me shumë të ftuar ishte planifikuar muaj më parë “në pajtim me udhëzuesin për shëndetin publik”. Mirëpo, tani, ai dhe bashkëshortja e tij, Michelle, kanë vendosur që të kufizojnë përmasat e festës.

Mediat amerikane kanë raportuar se qindra persona ishin ftuar për këtë festë, ndërkohë që ishte spekuluar se në mesin e të ftuarve ishin edhe aktori George Clooney, regjisori Steven Spielberg dhe shoumenja e famshme Orah Winfrey.

Shtimi i rasteve të reja me COVID-19 në SHBA ka nxitur Qendrën për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve që të kërkojnë rikthimin e maskave në ambiente të mbyllura edhe për të vaksinuarit edhe për të pavaksinuarit.