Janë publikuar pamjet e para të Imelda Stauntonit duke portretizuar mbretëreshën në sezonin e pestë të serisë “The Crown”.
Netflix e publikoi fotografinë përmes llogarisë së tyre në Twitter, duke thënë se ishte një "paraqitje e hershme” e mbretëreshës në dramën mbretërore. Staunton, 65 vjeçe, e merr rolin e luajtur nga Claire Foy dhe Olivia Colman, pasi sezoni i fundit e paraqet familjen mbretërore në shekullin 21.
Netflix ka thënë se sezoni i gjashtë dhe i fundit i dramës do të përfundojë në fillim të viteve 2000.
Sezoni i pestë dhe i gjashtë i “The Crown” do të përfshijnë vitet 1990 - një dekadë kur princi Charles dhe Diana, princesha e Uellsit u ndanë, u shkatërrua martesa e Dukës së Yorkut me Sarah Ferguson, kaploi zjarri kështjellën Windsor dhe ndodhi vdekja e princeshës Diana.
Staunton, e cila ka luajtur në “Vera Drake” dhe serinë e filmave “Harry Potter”, merr rolin nga Colman, që më parë fitoi çmimin e aktores më të mirë në “Golden Globes” për portretizimin e mbretëreshës në sezonin e tretë. Aktorja e nominuar për “Oscar”, Lesley Manville, do t'i bashkohet sezonit të pestë si princesha Margaret - një rol që më parë e kishin luajtur Helena Bonham Carter dhe Vanessa Kirby. Jonathan Pryce do ta marrë detyrën si Duka i Edinburgut dhe Elizabeth Debicki do ta luajë rolin e princeshës Diana, përballë Dominic West si princi Charles. Jonny Lee Miller, i cili u bë i famshëm si i varur nga heroina në filmin e famshëm të vitit 1996 “Trainspotting”, do ta portretizojë ish-kryeministrin sir John Major.