Showbiz

Shakira do të përballet me gjyq për mashtrim tatimor

Një hetim i një gjykate spanjolle lidhur me shmangie të tatimeve nga këngëtarja kolumbiane, Shakira, ka rekomanduar të enjten që rasti të shkojë në gjykim, pasi ka gjetur elemente se ylli i popit ka mundësi që ka evituar obligimet e saj fiskale ndaj shtetit.

Gjyqtari Marco Juberías ka deklaruar se hetimi i tij tre-vjeçar ka gjetur se ka elemente që këngëtarja ka bërë krim ekonomik.

Prokurorët kanë akuzuar këngëtaren në dhjetor të vitit 2019 se nuk ka paguar 14.5 milionë euro taksa në Spanjë, ndërmjet viteve 2012 dhe 2014, në kohën kur ajo jetonte më shumë në këtë shtet.

Mirëpo, Shakira 44-vjeçare ka mohuar se ka bërë shkelje ligjore. Kompania e saj për marrëdhënie me publikun pati deklaruar se ajo ka paguar menjëherë çka kishte obligim ndaj shtetit, me t’u njoftuar nga Zyra e Tatimeve lidhur me borxhet.

Shakira mund të përballet me gjobë dhe po ashtu me burgim nëse shpallet fajtore për evazion fiskal.