Showbiz

Halima Aden: Industria e modës mund të jetë shumë shfrytëzuese

Halima Aden, modelja myslimane e cila u bë e njohur për veshjen e shamisë të saj në pasarelë dhe në fotosesione, ka goditur industrinë e modës për shfrytëzimin e modeleve të reja nga kjo industri.

Aden u largua nga industria në nëntor të vitit 2020, duke përmendur komprometimin e besimit të saj dhe duke u ndjerë si një "pakicë brenda një pakice".

Në një intervistë të re për BBC-në, Aden thotë se në fund të karrierës së saj si model ndjeu se kishte humbur kontrollin për identitetin e saj. "Dy vitet e fundit, unë i besova ekipit në set për t’u kujdesur për dukjen e ferexhesë sime dhe kjo është kur hasa në probleme," thotë ajo, "si xhinse që vendoseshin në kokën time në vend të një shalli të rregullt. Mënyra sesi e stiluan, unë isha aq larg nga imazhi im. Ferexheja ime vazhdoi të zvogëlohej dhe bëhej gjithnjë e më e vogël në çdo fotosesion”.

Në vitin 2016, Aden ishte garuesja e parë myslimane e mbuluar plotësisht që garoi në konkursin “Miss Minnesota SHBA”. Ajo më vonë nënshkroi me “IMG Models”.

"Kur fillova mendova: 'Kjo do të hap derën për kaq shumë vajza të komunitetit tim", thotë ajo. “Asnjëherë nuk kam arritur të shfletoj një revistë dhe të shoh dikë me ferexhe, kështu që të jesh ai person për vajzat e tjera ishte një ëndërr e vërtetë. Por dy vitet e fundit [të karrierës sime], kam pasur kaq shumë konflikte të brendshme”.

Në reagim ndaj ngjarjeve të modeleve të tjera që shfrytëzohen në sheshxhirim, Aden thotë se njerëzit në industri mendojnë se modelet janë “të lehta për t’u shfrytëzuar. Moda mund të jetë një industri shumë shfrytëzuese”.

Më 2019, Aden bëri historinë duke u bërë modelja e parë me shami, të dizajnuar nga Tommy Hilfiger.