Showbiz

Ellie Goulding i rikthehet zhanrit dance dhe pop me albumin e ri

Foto: AP/Associated Press

Ylli i muzikës, Ellie Goulding, e ka përshkruar albumin e saj të ardhshëm si një projekt i muzikës dance, që vjen nga gjithësia.

Pasi gjatë vitit 2020 e realizoi një album mjaft personal me titull, “Brightest Blue”, këngëtarja 34-vjeçare ka vendosur që me albumin e radhës t’i rikthehet rrënjëve të muzikës dance dhe pop.

Në një intervistë të fundit Goulding tha: “Kam kaluar goxha kohë e vetme, gjatë së cilës kohë kam reflektuar për shumëçka. Dhe i kisha disa gjëra për të cilat doja të shkruara. Pra, mund të them se ishte një album mjaft personal, i thellë dhe emocional. Kurse albumi i radhës do të jetë plotësisht e kundërta e kësaj. E kam gjetur një ekip të jashtëzakonshëm të tekstshkruesve me të cilët në njëfarë mënyre, pa pasur fare nevojë të komunikojmë më njeri-tjetrin, po përfundojmë duke qenë gjithmonë në të njëjtin mendim. Së bashku e kemi filluar këtë mision, me qëllimin kryesor për t’u argëtuar. Thjeshtë duam të bëjmë muzikë me të cilën njerëzit do të mund të vallëzojnë dhe t’i harrojnë të gjitha gjërat që kanë ndodhur në vitin e fundit. Pra është një album për të vallëzuar me muzikë të zhanreve të përziera, si elektronike, pop dhe dance”.

Goulding njihet për hite të shumta muzikore, si “Burn”, “I Need Your Love”, “Beating Heart”, “Powerful”, “Love Me Like You Do” dhe të tjerë. Vjetëve të fundit ajo nuk ka qenë shumë aktive në muzikë, duke u fokusuar në angazhimet e saj si aktiviste.

Gjatë vitit 2020, Goulding i lansoi disa këngë, si “Power”, “Slow Granade”, “Love I’m Given”, “Worry About Me” dhe të tjerë, ndërsa në fillim të këtij viti e solli videoprojektin unik dhe mjaft të suksesshëm, “New Love”, të realizuar në bashkëpunim me dyshen e famshme të muzikës, Mark Ronson dhe Diplo.

“Brightest Blue” ishte albumi i parë i lansuar nga këngëtarja në pesë vjetët e fundit. Goulding në të kaluarën e kishte pranuar se atëkohë, nuk ndihej e gatshme emocionalisht për të realizuar këngë të reja.

34-vjeçarja Goulding në muajin prill u bë nënë për herë të parë. Këngëtarja e njohur britanike dhe shumë e dashur për publikun mbarë botëror dhe bashkëshorti i saj, Caspar Jopling, e mirëpritën në jetë një djalë të pagëzuar, Arthur.

Çifti i njohur i showbizit u martua me një ceremoni glamuroze më 31 gusht të vitit 2019.